Rama: Të vendosim kontroll absolut mbi territorin, kam kërkuar të nisë operacioni nga Velipoja në Ksamil

Kryeministri Edi Rama, në një takim të zhvilluar me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme deklaroi se mbrojtja e territorit do të jetë prioritet i punës së policisë së shtetit me qëllim që siç tha, të vendoset kontroll absolut mbi të gjithë territorin.

Teksa theksoi se policia e shtetit ka kapacitet që të bëhet mburojë e Shqipërisë duke mbuluar me kontrolle sistematike në të gjithë territorin, kreu i qeverisë u shpreh se nuk duhet të tolerohen jo vetëm ndërtimet pa leje, por edhe ato me leje të ndërtuara në mënyrë abuzive.

“Kur vjen puna për një  mur apo çati në një zonë të thellë gjendet polici që shkon dhe i kërkon llogari. Kur vjen puna për abuzime flagrante në zonat turistike në buzë të rrugës nga Velipoja deri në Ksamil, atëherë çuditërisht nuk gjendet i njëjti polic i zellshëm. Policia i ka të gjitha kapacitetet për t’u bërë mburojë e republikës së Shqipërisë në raport  me këtë krim që është i sanksionuar si i tillë në të gjitha ligjet tona. Nuk do të ketë  asnjë tolerim për ndërhyrjet në zonat turistike. Zonat turistike janë bazë e së ardhmes dhe nuk mund të pranojmë inercinë e një kontrolli që nuk krahasohet me 6-7 vjet më parë, po që sërish është i papranueshëm”, tha kreu i qeverisë.

Kryeministri tha se ka kërkuar nga ministri i brendshëm dhe drejtori i policisë që të nisë menjëherë operacioni i kontrollit të imtësishëm të territorit nga Velipoja në Ksamil

“Një ndërhyrje në det në mes të Sarandës, jo në zona të pabanuar, të mbushet me gur deti, dhe kjo të ndodhë pa shkuar polici dhe pastaj të vijë puna deri tek unë dhe pasi ndërhyj unë të pastrohet për 24 orë, kjo është e papranueshme. Pra, ja që u bëka, po pse s’është bërë? Kush e mban përgjegjësinë që nuk është bërë? Policia duhet të jetë shumë rigoroze me vetveten dhe nuk duhet të lejojë që disa individë të njollosin reputacionin e saj e më tej të shtetit. Kjo nuk ka asnjë emër tjetër përveçse korrupsion”, u shpreh kryeministri.

Të Fundit