“Lulzim Basha nuk fiton dot asnjëherë”
Pas takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët shqiptarë që e shoqëronin në këtë vizitë.
Ai tha se Sekretari i Shtetit konfirmoi mbështetjen për nismën “Ballkani i Hapur”.
“Jam shumë i kënaqur që administrata e re amerikane e ka përqafuar plotësisht “Ballkanin e Hapur”, është 100% në mbështetje të Ballkanit të Hapur dhe jam i bindur që në muajt në vijim do të kemi gjëra të reja në Ballkanin e Hapur. Kemi folur për Ballkanin e Hapur dhe mbështetja është 100%”.
Rama foli edhe për zhvillimet në opozitë dhe etiketoi kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.
“Lulzim Basha nuk fiton dot asgjë, asnjëherë, në asnjë rast. Kështu që siç ka humbur gjithmonë, do t’i qëndrojë besnik profilit të vetë që është të humbasë përsëri. Aleanca mes atyre të dyve nuk është potenciale, është reale, është në veprim edhe do të intensifikohet në vijim sa më shumë që të përkufizohet ngjashmëria e tyre në raport me planetin”./Tv Klan