‘Rama më kërkoi të vij për kanabisin’, Belushi: Po diskutoj mundësinë e legalizimit

Aktori me origjinë shqiptare, Jim Belushi ndodhet në Shqipëri prej disa ditësh. Një ndër arsyet e ardhjes së tij në vendin tonë është pikërisht kultivimi i kanabisit.

“Më erdhi një telefonatë nga kryeministri i Shqipërisë që të vij dhe të diskutoj mundësitë e legalizimit të eksportit të kanabisit. Unë e di që kryeministri ka një ligj që është ende në parlament dhe nuk është miratuar, është një gjë shumë interesante sepse sipas mendimit tim kanabisi është një bimë medicinale, e cila të shëron dhe ndihmon me shumë gjëra, me dhimbjet e kokës për shembull”, tha aktori me origjinë shqiptare.

Ndryshimet në Shqipëri i ranë në sy. Aktori u shpreh se në vendin tonë që nga hera e fundit kur ka qenë çdo gjë ka ndryshuar.

“Përshtypja ime është së pari unë nuk kam qenë në Shqipëri që prej shume vitesh kur ndoshta s’kishte as kaq shumë trafik, as kaq shumë makina, infrastruktura nuk ishte shumë e mirë dhe po të shikosh investimet që janë bërë tani është e mrekullueshme puna e bërë”, u shpreh Belushi.
Pyetjes  për investimin në miniera që donte të bënte vite me parë, ai iu përgjigj se dëshira nuk ka munguar, por për çështje burokracie nisma ka mbetur në vend.

“Ne kemi investuar në industrinë minerare, por çështja ngeci për shkak të licencave. Përfundoi në gjykatë dhe në periudhën më të hershme kur ne kemi bërë investimin kemi pasur shumë çështje dhe problematika lidhur me pronësinë e tokës sepse ne kujtonim se e kishte tokën qeveria, por pastaj dolën disa pronarë të tokës. Ende e kemi atë licencë, por nuk e kemi ekzekutuar. Sigurisht që nuk do ta lë pas dore atë” , theksoi ai.

Kjo nuk do të jetë hera e fundit që aktori Belushi do të vizitojë Shqipërinë.

 

Të Fundit