Rama: Këtu s’ka një burrë që t’ja thotë hapur Amerikës atë që mendon edhe kur i dridhen gjunjët

Në fjalën e tij në eventin e kremtimit të 100-vjetorit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, kryeministri Edi Rama u shpreh se në Shqipëri nuk ka një forcë anti-amerikane.

Duke iu referuar ngjarjeve me ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili mungon në ceremoni, Rama tha se nuk ka forcë kundër amerikanëve, por vetëm mllef dhe ndjenjë hakmarrje ndaj politikës së SHBA. Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se në këtë vend “nuk ka një burrë që t’ja thotë hapur Amerikës atë që mendon”.

“Ne mendojmë se i ka tretur e kaluara por prapë na dalin përpara. E mira është që në vendin tonë nuk ka një forcë të mundshme ati-amerikane. Dhe edhe kur ka mllef edhe kur ka ndjenjë hakmarrje jo ndaj SHBA, por ndaj politikës së SHBA, kjo shfaqet në formën e një gare dashurie se kush e do më shumë Amerikën. Madje deri në pikën që ne e duam Amerikën më shumë se ambasadorët amerikanë.

Ky është aspekti komik i historisë së kësaj marrëdhënie, por është edhe shumë domethënës që s’ka dot këtu një burrë që t’ja thotë SHBA në sy atë që mendon kur i dridhen gjunjët nga reforma në drejtësi. Të gjithë jemi me SHBA.

Në fund dua të them se është nder dhe privilegj që ne kemi arritur të nënshkruajmë një marrëdhënie partneriteti dhe kemi marrë propozimin për ta thelluar dokumentin”, deklaroi Rama.

Në takimin për vendosjen e 100-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të politikës, përfshirë, ambasadoren Yuri Kim, kryeministri Edi Rama, presidenti Bajram Begaj, kreu i grupit të PD, Enkelejd Alibeaj, ish-presidenti Ilir Meta, etj.

Të Fundit