Plani i Këlliçit për nënkalim te sheshi “Skënderbej”? Veliaj: E pamundur, sjell shumë trafik

“Fizikisht të pamundur” e ka quajtur kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj një projekt për një nënkalim te sheshi “Skënderbej”.

Mbrëmjen e kësaj të Enjteje në “Opinion” në Tv Klan, ai shpjegoi se në rast se do krijohej një nënkalim, në qendër të Tiranës nuk do të kishte më bulevard dhe kjo gjë do përqendronte aty gjithë trafikun e qytetit.

Mentor Kikia: Mua do më pëlqente që në vend që të rrija gjysëm ore në trafik, të futesha aty dhe të dilja matanë.

Erion Veliaj: Pra, ti thua trafikun që ne e kemi të devijuar, ta çojmë këtu në mes të sheshit.

Mentor Kikia: Jo, jo në mes, nënkalim aty në cep. Pra në vend që të bëj 1.5 km bëj 300 m rrugë.

Erion Veliaj: Ore unë jam çun inteligjent, e kuptova që në herë të parë, pse ma shpjegon ashtu? Kjo është arsyeja pse ne kërkuam shesh sepse në mes ne e kishim, ju kujtohet Skënderbeu si polic? Ti thua ta çajmë këtu, këtu thua?

Mentor Kikia: E thotë projekti.

Erion Veliaj: Kjo do të thotë ta çajmë edhe këtu, përveçse është fizikisht e pamundur sepse janë 3 kate parking dhe dy kate kontejner, i bie që ne duhet të çajmë të gjithë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të gjithë bulevardin “Zogu I”dhe nuk është më bulevard, por bëhet një luginë e madhe, kush ka bërë dy klasë inxhineri, prandaj o miku im duhet gjimnazi. Të shkosh 5 kate nën tokë duhet ta fillosh te Kryeministria pendencën, është fizikisht e pamundur. E dyta, cila është ideja e shesheve dhe piacave, nuk është që ne të ftojmë trafikun në qendër, ideja është që ne të ftojmë trafikun të përdorë unazat dhe të lehtësojë.

Një tunel poshtë sheshit “Skënderbej” me 4 kalime që lidh 2 bulevardet kryesore, ishte propozimi i rivalit politik të Veliajt, Belind Këlliçi. Ky i fundit u shpreh se projekti sjell përfitime ekonomike për qytetarët, pasi ulja e kohës në trafik rrjedhimisht ul edhe shpenzimet për karburant.

Të Fundit