Pedagogu Zhllima: Duhanpirësit harxhojnë deri në 20% të shpenzimeve familjare për cigare

Pedagogu Edvin Zhllima thotë se duhanpirësit harxhojnë deri në 20% të shpenzimeve familjare për të blerë cigare.

Ai u shpreh se mesatarisht, shpenzohet 50-95 euro në muaj për cigare.

“Nga të dhënat zyrtare që ne kemi, është që 4% e shpenzimeve të familjes shkojnë për duhanin. Mirëpo, kjo është një mesatare. Kur INSTAT bën vlerësime të tilla, nuk merren vetëm familjet që pinë duhan.

Ne vlerësojmë që, për ato familje ku ka pirje të duhanit, vlerat janë shumë të larta.  Në një pjesë të kampionit, ne shohim deri në 20% të vlerës së shpenzimeve.

Ne kemi parë që shpenzohet 50-90 euro në muaj për cigare”, theksoi ai.

Prevalenca e duhanpirjes në Shqipëri është e lartë: një në katër të rritur janë duhanpirës. Shifrat e fundit të disponueshme nga Anketa për Konsumin e Duhanit në Vendet e Evropës Juglindore (STC-SEE) , tregojnë se mbi 42 përqind e burrave dhe 7 përqind e grave në Shqipëri konsumojnë duhan.

Studimi për duhanpirjen është realizuar nga qendra “Partnerë në Zgjidhje dhe Zhvillim”./EuronewsAlbania

Të Fundit