Pedagogët tërhiqen nga bojkoti por jo nga protesta/ Nesër protestojnë para Korpusit të UPT

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, ka bërë të ditur se është marrë vendimi për pezullimin e bojkotit dhe rinisjen e procesit mësimor.

Megjithatë, theksohet se protestat do të vijojnë dhe këtë herë është thirrur për t’u mbajtur një protestë të martën më 8 nëntor në orën 11:00 përpara Korpusit Qendror të UPT.

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, e interesuar për normalizimin dhe zhvillimin e suksesshëm të jetës akademike vendosi:

1. Pezullimin e bojkotit dhe rinisjen e procesit mësimor, për të përmbushur detyrimin tonë akademik, atë të përçimit të dijes tek studentët;

2. Vazhdimin e protestës me të gjitha format demokratike dhe institucionale, përfshirë protestat kombëtare universitare periodike, deri në vlerësimin dhe zgjidhjen e kërkesave të parashtruara;

3. Të gjitha llojet e protestave, përfshirë grevat e çdo lloji, vazhdojnë të qëndrojnë si mundësi finale për realizimin e të gjitha kërkesave të Peticionit dhe më gjerë!

4. Të zhvillojë Protestën Kombëtare Universitare të radhës, ditën e Martë, datë 8 Nëntor 2022, ora 11.00, përpara Korpusit Qendror të UPT.

Kujtojmë se pedagogët janë në protestë që prej 5 tetorit, ndërsa prej 17 tetorit shumica e tyre bojkotuan mësimin. Kërkesa kryesore e tyre ishte rritja e pagës prej 50 për qind, me një rritje të menjëhershme prej 30 për qind, ndërsa pjesa tjetër prej 20 për qind të nisë vitin që vjen.

Pas bojkotimit të nisjes së vitit akademik, Qeveria shqiptare miratoi vendimin për rritjen prej 7 për qind të pagës së pedagogëve dhe kërkoi që një tjetër rritje prej 8 për qind të garantohet nga universitetet.

Megjithatë ky vendim i qeverisë nuk i kënaqi pedagogët, të cilët vijojnë me protesta.

Të Fundit