Pedagogët paralajmërojnë protestë kombëtare nesër, kërkojnë mbështetjen e studentëve

Sindikata e pedagogëve përshkallëzon bojkotin, ku nesër do të zhvillojnë një protestë kombëtare.

Pedagogët kërkojnë edhe prezencën e studentëve në këtë protestë që do të zhvillohet para godinës së Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik.

“Nesër në datë 20 tetor 2022 ora 11:00 do të zhvillohet protesta kombëtare, në formën e bojkotit total, përpara godinës së Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik, ku do të marrin pjesë të gjitha universitetet publike në vend. Ftojmë edhe studentët të japin mbështetje me prezencën e tyre. Le të jemi të gjithë bashkë në këtë hapësirë akademike”, thuhet në njoftim.

Prej disa ditësh pedagogët janë ngritur në protestë, ku kërkojnë rritje të pagave. Në lidhje me këtë kërkesë të tyre, kryeministri Edi Rama u shpreh një ditë më parë se nuk e mbështet këtë protestë.

Në fjalën e tij me rektorët e univesiteteve private dhe publike në vend, ai tha se koha kur qeveria rrit pagat në mënyrë uniformë sepse e kërkojnë sindikatat, ka mbaruar.

Të Fundit