OBSH: Përhapja e lisë së majmunëve mund të jetë “maja e ajsbergut”

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi të premten se rreth 200 raste të lisë së majmunëve të zbuluar kohët e fundit në vendet jashtë atyre ku virusi zakonisht qarkullon, mund të jetë vetëm fillimi.

Në një konferencë për përhapjen “e pazakontë” të virusit të lisë së majmunëve, shefja e parandalimit të epidemisë dhe pandemisë së OBSH-së Sylvie Briand tha: “Ne nuk e dimë nëse po shohim vetëm majën e ajsbergut”.

Që kur Mbretëria e Bashkuar njoftoi për herë të parë agjencinë shëndetësore të Kombeve të Bashkuara (OKB) për rastin e saj të parë të konfirmuar më 7 maj, pothuajse 200 raste janë raportuar në OBSH në vende larg nga shtetet ku virusi është normalisht endemik. Për më tepër, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) e ka çuar numrin e rasteve në 219.

Lija e majmunëve është endemike në Afrikën perëndimore dhe qendrore, por papritmas virusi është shfaqur në mbi 20 vende  të tjera duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Australinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe gati një duzinë vendesh të Bashkimit Evropian (BE).

Ministria spanjolle e shëndetësisë është shprehur të premten se rreth 98 raste të lisë së majmunëve ishin konfirmuar në Spanjë. Mbretëria e Bashkuar ka pretenduar se ka 90 infeksione të verifikuara të virusit. Portugalia ka regjistruar gjithashtu të paktën 74 raste të konfirmuara të lisë së majmunëve në mesin e meshkujve të moshës nën 40 vjeç.

Të Fundit