Rama: 200 miliardë lekë investime publike në buxhetin 2027, refuzoj çdo përpjekje për të penguar investimet e huaja

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot projektbuxhetin për vitin 2027 dhe paketën e re fiskale, duke vënë theksin te rritja e investimeve publike, mbështetja për familjet dhe përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se lehtësimet dhe investimet e parashikuara në buxhet janë rezultat i punës dhe kontributit të përditshëm të shqiptarëve në sipërmarrje, bujqësi, prodhim, turizëm dhe shërbime.

“Të gjitha këto investime nuk bien nga qielli. Ato vijnë nga puna, domethënë nga kontributi plot përkushtim i shqiptarëve. I shqiptarëve që nuk dalin në televizor, për të cilët nuk flitet nëpër lajme, sepse nuk përbëjnë lajm, i shqiptarëve që nuk kanë kohë të ulen në TikTok apo të shajnë në Instagram. I shqiptarëve që janë të organizuar në sipërmarrje, në ferma, në prodhim, në turizëm, në shërbime, të cilët me aktivitetin e tyre kanë krijuar rrjetin e ekonomisë që i jep Shqipërisë sot mundësinë të rishpërndajë më shumë. Mbi të gjitha, falë tyre, në Shqipëri rriten investimet e brendshme dhe të huaja”, tha Rama.

Prandaj, shtoi Kryeministri, “e refuzoj kategorikisht çdo lojë përçarjeje dhe çdo qasje të tillë, e për më tepër çdo lojë pabesie dhe poshtërsie në kurriz të këtij vendi, që synon të shprehë refuzimin, kundërshtimin dhe pengimin e investimeve të huaja”.

“Sot të gjitha vendet, edhe Kina, edhe vendet e naftëmbajtëse, edhe të gjitha vendet e Europës, janë në një konkurrencë gjithmonë e më të egër për të tërhequr sa më shumë investime të huaja. Ne nuk mund të jemi vendi që, kur dera për investimet e huaja hapet nga investitorët, të sillemi sikur duam ta mbrojmë vendin nga investimet”, deklaroi Rama.

Sa i përket investimeve publike, kreu i qeverisë bëri të ditur se për vitin 2027 janë planifikuar 200 miliardë lekë, me fokus infrastrukturën, energjinë, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë dhe hekurudhat.

“Investimet publike në infrastrukturë, energji, arsim, shëndetësi, bujqësi dhe, pa dyshim, edhe në hekurudha, të cilat mund të bëhen më në fund realitet, si dhe në të gjithë sektorët që e bëjnë ekonominë më konkurruese, janë në këtë buxhet më të larta se asnjëherë më parë. 200 miliardë lekë investime publike të planifikuara nuk janë thjesht konsum i fryteve të rritjes ekonomike, por riinvestim në një ekonomi që do të rritet edhe më shumë”, tha ai.

Rama nënvizoi gjithashtu nevojën për të orientuar më shumë investime drejt lagjeve periferike dhe zonave rurale, ku potenciali i rritjes ekonomike mbetet ende i pashfrytëzuar plotësisht.

“Ne duhet të bëjmë një përpjekje maksimale për të shkuar edhe përtej këtyre investimeve, duke parë më shumë aty ku njerëzit jetojnë jetën e tyre të përditshme, në lagjet periferike dhe në zonat rurale, ku potenciali i rritjes ekonomike është ende i pashfrytëzuar siç duhet. Ne nuk shpenzojmë të nesërmen për të shtyrë të sotmen, por as nuk mund t’u themi njerëzve të presin pafundësisht të nesërmen, që të ndiejnë përfitimet e zhvillimit sot”, tha Rama.

Duke shpjeguar filozofinë e projektbuxhetit, kryeministri u shpreh se synimi është të ndërthuret rritja ekonomike me përmirësimin e mirëqenies dhe lehtësimin e barrës financiare për familjet.

“Kjo është filozofia e këtij buxheti të ri: të rrisim ekonominë për të rritur mirëqenien, të forcojmë financat publike për të lehtësuar barrën e familjeve, të krijojmë më shumë pasuri për të pasur më shumë mundësi për ta shpërndarë atë në mënyrë më të drejtë”, theksoi Rama.

Duke theksuar se garat e statistikave me opozitën janë fituar me kohë, Rama u ndal edhe te përfitimet që parashikohen për kategori të ndryshme të shoqërisë, duke përmendur pensionistët, familjet, profesionistët, të rinjtë, prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe studentët nga familjet në vështirësi ekonomike.

“Këtu nuk flasim për garë statistikash. Ne kemi fituar kohë më parë çdo garë statistikash me këta të lodhurit këtu, por flasim për një pensionist që merr më shumë çdo muaj në këtë buxhet, për një familje që paguan më pak për shportën bazë, për një profesionist që mban më shumë për vete dhe familjen nga paga e tij. Flasim për një çift të ri që ka një mundësi më shumë për shtëpinë e vet të re, flasim për një prind që merr mbështetje mujore për fëmijën me aftësi të kufizuara në këtë buxhet, për një familje të re që merr mbështetje për pesë vjet rresht për beben e porsalindur në këtë buxhet, si dhe për studentët që vijnë nga familje në vështirësi dhe që duan të vazhdojnë e të përfundojnë studimet, në këtë buxhet”, tha Rama.

Të Fundit