Nis sot mësimi plotësues, Kushi: Shfrytëzojeni këtë mundësi

Duke nisur nga kjo e mërkurë (1 shtator) në vendin tonë nis mësimi plotësues, i cili do të zhvillohet deri më datën 24 shtator, ndërsa më 27 shtator nis viti i ri shkollor.

Në një mesazh në rrjetet sociale ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi u kërkon nxënësve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të nisur vitin shkollor me njohuri të përforcuara.

“Për këtë periudhë shkollat tuaja kanë përgatitur një program gjithëpërfshirës, që përveç përsëritjes apo përforcimit të njohurive, përmban edhe aktivitete argëtuese dhe sportive. Prandaj shfrytëzojeni këtë mundësi sepse kjo do t’ju ndihmojë që të jeni sa më të përgatitur dhe ta nisni vitin e ri shkollor me njohuri të rikuperuara, e mbi të gjitha, me dëshirë e pasion për të mësuar akoma më shumë”.

Ndërkohë Kushi iu është drejtuar edhe prindërve: “Do të kërkoja nga ju që të tregonit të njëjtin përkushtim edhe në këtë periudhë të mësimit plotësues, që së bashku të bëjmë më të mirën për fëmijët tanë”

Në përfundim të mesazhit Ministrja Kushi u ka rikujtuar të gjithëve që të mos harrojnë kujdesin dhe vëmendjen ndaj rregullave anti-COVID.

Të Fundit