Ngujoi familjen për 6 vjet, babai i Laçit: Nuk është për burg, por për spital. Nuk ka mundësi të jetë radikal, shkonte në xhami

Në një prononcim për Klan News, babai i Xherxh Laçi, 52-vjeçarit të njohur edhe me emrin Gjergj, i cili u arrestua pasi mbante ngujuar dy fëmijët dhe gruan në zonën e “5 Majit” ka thënë se i biri i tij është me probleme të shëndetit mendor dhe sipas tij ai duhet të shkojë në spital dhe jo në burg.

I ati ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se nuk ka mundësi që i biri të jetë radikal duke e argumetuar se ai shkonte çdo të premte në xhami. Po ashtu, ai ka thënë se nuk i ka keqtrajtuar as gruan dhe as fëmijët teksa ka shtuar se i biri nuk punonte por nuk i linte as të tjerët që të punonin.

Babai i Xherxh Laçit: Nuk ka mundësi të jetë radikal, çdo të premte shkonte dhe falej në xhami. Ai njeri më i drejtë dhe më i sinqertë nuk ka më. Punonte me ndershmëri. Ai merrej si ustallar, shtëpinë e ka bërë vetë. Nuk i ka prekur me dorë as gruan dhe as fëmijët. Jam dëshmitar unë se çdo ditë vija këtu. Unë jetoj me Halilin, një djalë tjetër. Ai nuk ka punuar as në firma dhe as në ndërmarrje, bukën e gojën ia kemi sjellë ne, familjarët. E kishte si ves të vetin, nuk e linte as gruan dhe as vetë në punë. I kishte mbetur fiksim nga diabeti që e ka goditur në tru. Ai as vetë nuk punonte, por nuk i linte as të tjerët dhe kështu arriti puna e madhe. Ka pasur probleme të shëndetit mendor që herët se ky ka qenë me letra të Italisë, i la letrat dhe erdhi vetë me këmbët e veta. La çdo gjë dhe këtu nuk punoi, sëmundja e ka fajin. Ai duhet të shkojë në spital dhe jo në burg siç e kanë lënë këta dhe e kanë lënë 3 ditë pa insulinë, duke vdekur mbrëmë, ia kemi çuar insulinat tek 3-shi se kanë qenë duke e lënë policët duke vdekur.

Gjatë marrjes në pyetje, Laçi ka mohuar të ketë dhunuar bashkëshorten e tij Elena si dhe dy djemtë, Albanin dhe Sulltanin, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç. 50-vjeçari Laçi ka dëshmuar para oficerëve të Policisë dhe të Antiterrorit se nuk i linte fëmijët të dilnin nga banesa për të mos u infektuar.

“Kam ndjekur parimet e mia fetare. Fëmijët dhe bashkëshorten nuk i kam lënë të dalin për t’i ruajtur nga e keqja. Nuk doja që ata të nisnin drogën apo të infektoheshin”, ka pohuar Laçi.

Por krahas dëshmisë së tij, dy djemtë dhe nëna e tyre kanë treguar në prani të psikologëve se ata dhunoheshin sistematikisht. Tanimë ata janë dërguar në një qendër rehabilitimi.

Xherxh Laçi, i njohur edhe me emrin Gjergj Laçi pritet të dalë të martën në Gjykatën e Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Xherxh Laçi nuk është i panjohur për Policinë, pasi më herët ka qenë i arrestuar për një ngjarje të ndodhur në vitin 2013 ku ka qëlluar me armë zjarri në lagjen ku jetonte.

Të Fundit