Nga 1 qershori, Shqipëria ndalon përdorimin e qeseve plastike

Me nisjen e muajit qershor të tilla qese të holla njëpërdorimshme do të hiqen nga përdorimi, prodhimi dhe importimi, për t’u zëvendësuar me qese më të trasha, me kapacitet mbi 10 kg. Të tilla qese janë të riciklueshme.

“Rritja e trashësisë së faqes së qeses e bën atë një mjet që përdoret disa herë, pra nuk e marrim dhe e hedhim, po e përdorim përsëri për të bërë pazar”, shpjegon Edlir Vokopola, ekspert i çështjeve urbane.

Në Shqipëri një person përdor në ditë afërsisht 3 qese plastike. Me ligjin e ri synohet reduktimi i tyre dhe përdorimi i sa më shumë çantave prej kartoni apo rrobe.

Sipas analizave të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, ndotja në mjedis pritet të reduktohet me 8% në dy vitet e para.

“Ka rezultuar se produkti që sjell ndotjen më të lartë nga plastika janë qeset plastike njëpërdorimshe. Kemi pasur dhe ankesa nga Kroacia, që kanë sjelle dhe një kërkesë për reagim nga Shqipëria”, thotë Elvis Tosuni, këshilltar në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Sipas ligjit çdo person që hedh në treg, prodhon, importon ose fut në Shqipëri qeset e holla me karakter njëpërdorimësh dënohet me 500 000 (pesëqind mijë lekë ) gjobë. Nëse shkelja është e ripërsëritur, gjoba shkon në 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë.

Keqmenaxhimi i mbetjeve ka sjellë pasoja të rënda në mjedis, sfida e radhës është pastrimi i mjedisit, kryesisht i botës ujore pasi Shqipëria është ndër ndotësit kryesorë të Detit Adriatik me produkte plastike.

Ekspertët e çështjeve urbane rekomandojnë grumbullimin e diferencuar.

“Hapi tjetër është futja në masë të gjerë e ndarjes në burim”, thotë Vokopola.

Qytetet që gjenerojnë më shumë mbetje plastike janë Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra dhe Fieri.

Të Fundit