Kushtet në burgje, avokatja e popullit: Kemi kërkuar mbylljen e një numri të madh komisariatesh

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca ka folur ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve në lidhje me tre vdekjet e ndodhur në komisariatet e vendin tonë në një periudhë kohore prej të paktën dy muajsh.

Ajo u pyet nga kreu i grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj për masat që janë marrë dhe konkluzionet e nxjerra për secilin rast.

“Keni ju një panoramë të plotë për trajtimin që shteti i ofron personave të moshës së tretë? Në 26 mars të këtij viti Arben Mici humbi jetën në komisariatin e Kamëz. Avokati i Popullit kishte kërkuar marrjen e masave për kushtet e këqija. Në 4 Maj Ilvi Meta një i ri 31-vjeç humb jetën në Komisariatin e Kavajës. Sipas policisë u vetëvra.

Familjarët hedhin dyshime. Ka ndodhur në një ambient që duhet të jetë më i sigurti. Disa ditë më parë një efektiv policie qëllon kolegun në komisariat. Këto janë ngjarjet që ndodhin në komisariat atje ku duhet të jetë maksimumi i respektimit të të drejtave të njeriut. Keni bërë ju hetime për rastet konkrete? Cilat janë konkluzionet që keni nxjerrë”, u shpreh Alibeaj.

Ballanca tha se gjendja në Komisariatet e Tiranës dhe në një pjesë tjetër të vendit është katastrofike. Ajo tha se është kërkuar mbyllja e një numri të madh të tyre. Ndalur te rastet konkrete, Ballanca tregoi edhe përfundimet e institucionit që ajo drejton.

Lidhur me komisariatin e Kamzës, ku humbi jetën i riu Arben Mici Ballanca deklaroi se dhomat ku ra zjarri, duhet të mbaheshin të mbyllura. Ndërsa sa i takon vetëvrasjes së të riut Ilvi Meta në Kavajë, Ballanca theksoi se deri më tani nuk ka indicie që vërtetojë pretendimet e familjarëve që akuzojnë policinë.

“Gjendja në komisariatet e Tiranës në mënyrë të veçantë dhe një pjesë tjetër është katastrofike. Është në kundërshtim me standardet për qëndrimin e personave të privuar nga liria. CPT ka kërkuar mbylljen e një numri të madh komisariatesh. Janë mbyllur dhomat e sigurisë te 1 dhe 2 për shkak të kushteve të këqija dhe kur ne kemi shkuar më vonë i kemi parë të hapur. Ka pasur një numër të madh personash që shoqëroheshin në komisariate për shkak se protestonin për masat kundër COVID. Ata shoqëroheshin sepse shkelnin rregullat kundër COVID dhe futeshin aty që ta merrnin virusin me zor. Prej tyre vitesh është ndërtuar blloku i ri i dhomave të sigurisë në Tiranë.

Ai do të zgjidhë në mënyrë afatshkurtër nevojën dhe qëndrimin e personave në kushtet e sigurisë me kapacitet tjetër. Kemi një problem. Kemi bërë rekomandimin përkatës. Ky është një nga ato raste ku bëhet investimi dhe bëhet pa menduar. Ky boksi i ri disa elementë sigurie nuk i ka në përputhje me ligjin. Për rastin e Kamzës ato dhoma duhet të ishin të mbyllura. E kam marrë edhe Veliun në telefon i kam thënë si ka mundësi t’i çoni njerëzit në ato biruca. Dhe na tha ku t’i çojmë se ju na keni thënë. Unë kam bërë edhe takim me zotin Nano për këtë çështje. Sa i përket rastit të Kavajës, Kavaja është i rikonstruktuar. Nuk ka problemet logjistike të Tiranës.

Dhe aty skara e hekurit nuk është në përputhje me rregulloren. Shqetësimi që ne kemi është se kushtet nuk janë në standardet e parashikuara në rregullore. Në rastin e zotit Meta unë kam një komisioner që është specialist i kësaj fushe. Ai ka qenë vetë në komisariat dhe në gjykimin e tij nuk ka deri më tani indicie që personi është vrarë nga ana e policisë. Por përsëri ka mungesë të kushteve teknike që kanë lejuar vendosjen e hekurit horizontal në kundërshtim me kushtet e rregullores. Për rastin e vrasjes në komisariat nuk kemi nisur një hetim. Ne kemi bërë disa rekomandime për kushtet e policisë ë shtetit. Kemi dëgjuar që thonë që policia është rritur në numër. Ajo është forcë që ka mbajtur shumë çështje. Nuk mund të them se trajnimi i tyre është në nivelin e duhur”, u shpreh Ballanca.

Të Fundit