Emisioni “Stop” u ndal në fushën e Butacit në Ndroq për një konflikt pronësie. Nada Turku tregoi se pronarët kufitarë i kanë hapur dy rrugë në tokën që e ka me certifikatë pronësie.
“Kam një tokë bujqësore në fushën Butac, 3 dynym e 300 metra dhe kam patur gjithmonë probleme me pronarët që kufizohen me tokën time. Kam kërkuar ndihmë gjithandej! Kam bërë gjyqe dhe kam dalë me dokumente të rregullta, si certifikata e tokës dhe vendimi i prokurorisë. Dhe kur vjen puna, ne nuk kemi mbaruar punë dhe kemi patur probleme me kufitarët”, u shpreh denoncuesja.
Ajo shtoi se pavarësisht denoncimeve të njëpasnjëshme, fqinjët i ndalojnë të punojnë në tokën e tyre dhe vijojnë të konfliktohen me meshkujt e familjes Turku.
“Kanë bërë dy rrugë në tokën time për të dalë në rrugën kryesore, ndërkohë që ka rrugë dhe në shtëpinë e tyre dhe mund të dalin kollaj. Më pengojnë punën se nuk mund ta punoj tokën parcela-parcela siç duan këta, por dua ta punoj siç e kam punuar dikur. Ç’kuptim ka toka ime me rrugë të futura midis? Unë dua që këto rrugë të hiqen sepse janë bërë padrejtësisht!”, u ankua zonja Nada.
Gazetarja e emisionit “Stop” njoftoi Policinë e Shtetit, e cila pas 10 minutash shkoi në fushën e Butacit dhe komunikoi me të dyja palët.
Banori – Unë të mos kem rrugë në shtëpi? Te rruga e gjyshit tim? Leje nuk është organizuar, e kanë matur në vend tjetër edhe ashtu.
Polici – O nëne!
Nëna – O fytyrë…
Banori – A po ikën ti ee?
Polici – O nëne!
Nëna – Të iki unë?
Polici – Nëne largohu!
Banori – Ik e m’u zhduk! Ik e m’u zhduk të thashë!
Polici – Të lutem o nëne, të lutem një çik këtej me mua.
Nëna – Hajduta! Kujt i flet ashtu ti?
Polici – O nëne nuk ka nevojë tani.
Nëna – Për ça po flet ashtu ai?
Polici – Po duro tani.
Nëna – Nuk duroj më se na ka ardhur deri këtu! S’ka, nuk dua shtëpi më fare. Nuk dua të jetoj më në shtëpi!
Efektivët e policisë i shoqëruan konfliktuesit në Komisariatin Numër 6, në mënyrë që të gjendej një zgjidhje. Pas disa ditësh pronarët e tokës mundën ta merrnin në shfrytëzim pronën e tyre..
Nënë Ikja u shpreh e përlotur: “Ju falenderojmë me gjithë zemër e shpirt. Po të mos kishit qenë ju nuk do të ishte bërë gjë, se që nga 2006 nuk është zgjidhur asnjë gjë!”