Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër pas raportimeve se ka pasur një përplasje me kryeministrin Edi Rama gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së dhe kabinetit qeveritar ditën e djeshme, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Përmes një videomesazhi, Braçe mohoi se është nxjerrë jashtë nga mbledhja, duke sqaruar se është larguar vetë pasi mbledhja ishte ndërprerë dhe nuk kishte se çfarë të dëgjonte.
Braçe u shpreh i revoltuar, duke kërkuar që kushdo që ka nxjerrë atë që ai ka thënë në mbledhje me dyer të mbyllura, për të dëmtuar politikisht kolegët, duhet të mbajë përgjegjësi dhe të bëhet shembull.
“Dje para se sa të me filloja të flisja në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, i kërkova të gjithë pjesëmarrësve, se me thënë të drejtën kishte më shumë se sa deputetë në sallë, që të mos nxirrnin përjashta asgjë nga ato që unë do të thosha aty. Dhe ishte fillimi i mbledhjes.
Ja që ndodhi kjo që lexojmë, edhe e transformuar natyrisht.
Tani meqë dje u mor një angazhim për të bërë shembull njërin ndër ata që nxjerrin fjalët e shtëpisë për të vrarë politikisht tjetrin atje matan, unë mezi pres që të mbahet fjala. Pra të bëhet shembull. Në mungesë të tij do me duhet pastaj që të mendoj një gjë tjetër.
Mua nuk më ka nxjerrë kërkush përjashta nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. S’ka se si. Nuk ka. Unë jam ulur pasi nuk kam pasur më çfarë të me them, dhe pasi kam thënë aty, dhe jo vetëm në këtë mbledhje, po edhe në mbledhjet paraardhëse shumë më gjatë e shumë më me argumenta se sa në këtë mbledhje, gjithçka që thonë socialistët prej një viti, dhe unë i dëgjoj prej një viti këtu në Tiranë.
Kam dalë jashtë pasi mbledhja ka qenë e ndërprerë dhe natyrisht kam dalë jashtë vetë, pasi s’kisha më çfarë të dëgjoja. Kjo është e vërteta”, është shprehur Braçe.



