Në redaksinë tonë ka denoncuar një farmacist i ri i cili, na tregon, se në 27 dhjetor, një ditë pasi hapi në mënyrë të rregullt farmacinë e tij, u përball me një kontroll të stisur nga dy inspektorë të Agjensisë së Barnave. Ata inskenuan disa shkelje dhe i thanë, se do të gjobitej me 4 milionë lekë të vjetra.
Nëse nuk donte të paguante kaq para, mund të mjaftoheshin, duke u dhënë atyre nën dorë 1 milionë lekë.Luan Cici, njëri nga inspektorët, tregon mënyrën, sesi piketohen farmacitë dhe si “vilet” ryshfeti.Ai thotë, se sado i rregullt të jesh, mund të gjenden klecka për t’u gjobitur, nëse nuk paguan.
Pak ditë më pas, në 8 janar 2023, Luan Cici dhe Armando Luka shkojnë sërish në farmacinë e denoncuesit, ku në një kthinë marrin këstin e parë të ryshfetit prej 300 mijë lekësh të vjetra. 5 ditë më pas, Armando Luka merr tek farmacisti këstin e dytë prej 300 mijë lekësh të tjera.Ndërsa Luan Cici shpjegon, sesi funksionon rrjeti i gjobaxhinjve të farmacive, në mënyrë që të shmanget hyrja e Krimit Ekonomik.