Studentët do të marrin për herë të parë kredi. Këtë e bëri të ditur ditën e sotme gjatë seancës plenare, ministrja e Arsimit Evis Kushi, duke shtuar se po bëjnë gati draftin.
Kjo deklaratë u bë në kuadër të interpelancës që Kushi zhvilloi sot me deputeten, Erisa Xhixho.
Kemi draftuar një vendim të Këshillit të ministrave për kredinë e studentëve. Për herë të parë studentët kanë të drejtë të marrin një kredi”– tha Kushi.
Po çfarë tha më herët gjatë interpelancës Xhixho?
Deputetja u shpreh se studentët janë përjashtuar nga paketa e rezistencës dhe nga pakoja e madhe e Qeverisë.
“Por le të kthehemi të studentët që janë përjashtuar nga paketat e rezistencës të sjellë nga qeveria. Ato janë përjashtuar dhe nga pakoja e madhe. Studentët përballen me rritjen e çmimeve dhe koston e jetesës.
Një studenti i duhet 500 euro në muaj. Karta e studentit nuk arriti të behet kurrë realitet, por është thjesht një tallje.
Studentët janë lënë jetim nga kjo qeveri e në mungesë të shpresës marrin gomonen. Kjo qeveri vazhdon të tallet me studentët duke zvarritur dhe pagesën e bursave”– nënvizoi Erisa Xhixho.