Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se pas vizitës që pati në Paris para pak ditësh ka dëgjuar se ish-presidenti i Kosovës dhe ish-udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, mund të dënohet rëndë nga Gjykata Speciale në Hagë.
Rreth dy javë më parë, Vuçiçi pati thënë se vendimi për Thaçin do të jetë kryesisht shfajësues. Por në deklaratën e sotme, ai thotë se ka marrë tjera informacione pas vizitës që pati në kryeqytetin francez.
Duke folur për procesin gjyqësor ndaj Thaçit, i cili bashkë me ish-krerë të tjerë të UÇK-së akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Vuçiç ka thënë se nuk e di se cili do të jetë vendimi përfundimtar.
“Para 15 ditësh mora informacion se ai do të dënohej me një masë që mbulon kohën e paraburgimit; këtë e mora nga shërbimet tona. Tani, kur isha në Paris dhe bisedoja me disa liderë evropianë e botërorë, mora disa sinjale të ndryshme. Pas katër ditësh do të shohim se kush ka të drejtë”, ka thënë Vuçiç, shkruan Danas.
Vendimi ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit pritet të jepet më 16 shtator.



