Ministria e Shëndetësisë së Kosovës sqaron pse refuzoi vaksinat kineze nga Shqipëria: Bie ndesh me…

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka sqaruar vendimin për të mos pranuar vaksinat kineze të dhuruara nga Shqipëria.

Sami Uka, këshilltari politik i ministrit të Shëndetësisë në Kosovë ka bërë të ditur për Telegrafin se kjo vaksinë nuk është e licencuar nga EMA.

“Për mësuesit tanë na janë ofruar vaksina Sinovac të Kinës. Natyrisht për shkak se e njëjta nuk është e licencuar dhe aprovuar nga EMA për përdorim në Evropë, dhe e njëjta bie ndesh me ligjet tona”, ka thënë Uka.

REFUZIMI I KOSOVES

Një ditë më parë Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia konfirmoi pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës se do të vaksinojë mësuesit vetëm kur të ketë doza të vaksinave perëndimore.

“Dozat e vaksinave AstraZeneca dhe Pfizer janë harxhuar, siç më ka njoftuar ministrja Manastirliu. Në Shqipëri po vazhdon vaksinimi me Sinovac, e cila është prodhuar nga Kina dhe për arsye se në Kosovë na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruar në EMA (Rregullatori Evropian i Barnave), ne nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit të vaksinohen. Kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi. Manastirliu më ka thënë se sapo të vijnë doza të tjera të dy llojeve të vaksinës, atëherë do ta ndihmojnë Kosovën”, ka thënë sot Vitia.

Të Fundit