“Mijëra euro, paund dhe bizhuteri” Vodhi kasafortën e babait, arrestohet 33-vjeçari

Një 33-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi vodhi në banesën e babait të tij, kasafortën me një shumë të konsiderueshme parash dhe aksesorë të ndryshëm floriri.

Policia ka mundur të sekuestrojë një pjesë e parave të vjedhura, 10 530 paund dhe 27 030 euro.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kasaforta”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi i shtetasit E. S., 33 vjeç banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 33-vjeçari ka vjedhur në banesën e babait të tij, në rrugën “Riza Cuka”, kasafortën brenda së cilës kishte 27 200 euro, 11 000 paund, 910 000 lekë dhe aksesorë të ndryshëm floriri.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një pjesë e parave të vjedhura (10 530 paund dhe 27 030 euro)”, njofton policia.

Të Fundit