Fredi Beleri njihet sot me masën e sigurisë, e pranishme në seancë edhe ambasadorja greke

Fredi Beleri del sot para Gjykatës së Vlorës për t’u njohur me masën e sigurisë. E pranishme në seancë do të jetë edhe ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Konstantina Kamitsi. Po ashtu kanë mbërritur edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe familjarë të Belerit.

Klan News raporton se pak para nisjes së seancës, Fredi Beleri ka kërkuar ndihmë mjekësore. Mësohet se kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka kërkuar mjekim me argumentin se vuan nga diabeti.

Ndërkohë sipas të njëjtave burime vijon të qëndrojë në spital Pano Kokaveshi, i cili u arrestua së bashku me Belerin nën akuzën për shitblerje votash.

“Sipas informacioneve që kemi mundur të sigurojmë pritet që nga ana e Prokurorisë së Vlorës të kërkohet masa e sigurimit arrest me burg. Duhet theksuar që Pano Kokaveshi ka lëvizur dhe nuk ndodhet në Vlorë pasi për shkak të problemeve shëndetësore është drejtuar në QSUT për të marrë ndihmë mjekësore”, raportoi nga Vlora gazetarja Glidona Daci.

Po ashtu pritet që ditën e sotme gjykata e Vlorës të shpallë moskompetencën për të vijuar hetimet Prokuroria e Vlorës.

“Çështja do të kalojë në dyert e Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme duke qenë se janë organi kompetent për të hetuar veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje”, raportoi Daci.

Gazetarja Daci raportoi se janë disa ditë me radhë ku janë vëzhguar dhe përgjuar nga oficerët e policisë Fredi Beleri me bashkëpunëtorët e tij.

“Përpos përgjimeve që disponojë dhe numri i Fredi Belerit ka qenë në përgjim, ka edhe dy pamje filmike, konfirmojnë burimet pranë prokurorisë së Vlorës që në një farë mënyrë e lidhin shoqëruesin e Fredi Belerit me veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje”, u shpreh gazetarja.

Beleri u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Vlorës për korrupsion aktiv në zgjedhje. Arrestimi i tij erdhi 48 orë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 14 Majit, ku 51-vjeçari garon përballë kryetarit aktual të bashkisë, Gjergji Goro, i cili kërkon një mandat tretë.

Fredi Beleri u bë pjesë e debatit politik në mesjavë edhe për shkak të një deklarate që bëri gjatë një interviste për gazetën greke ‘Protothema’, në të cilën ai përmendi një plan për helenizimin e Himarës, çka ai e mohoi më vonë.

Të Fundit