Po transportonin 50 qese me ushqime, në pranga 3 punonjës të bashkisë Shkodër

Tre punonjës të bashkisë Shkodër, u kapën në flagrancë duke transportuar me fugon, 50 qese me ushqime, për t’i shpërndarë te qytetarët, për përfitime elektorale.

Policia ben me dije se të arrestuarit janë: Drejtori i Drejtorisë Ekonomike-Arsimore, bashkia Shkodër; Tekniku i Shërbimeve Mbështetëse në Drejtorinë Ekonomike-Arsimore, bashkia Shkodër dhe Specialisti i Financës në Drejtorinë Ekonomike-Arsimore, bashkia Shkodër. Ata akuzohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.

Po ashtu autoritetet njoftojnë se është shpallur në kërkim porositësi i pakove ushqimore, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, bashkia Shkodër.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 50 qeset me ushqime, si dhe automjeti me të cilin transportoheshin ato.

Njoftimi i plotë

U kapën në flagrancë duke transportuar me furgon, 50 qese me ushqime, për t’i shpërndarë te qytetarët, për përfitime elektorale, vihen në pranga 3 shtetas (punonjës të Bashkisë Shkodër).

Të arrestuarit, Drejtori i Drejtorisë Ekonomike-Arsimore, Bashkia Shkodër; Tekniku i Shërbimeve Mbështetëse në Drejtorinë Ekonomike-Arsimore, Bashkia Shkodër dhe Specialisti i Financës në Drejtorinë Ekonomike-Arsimore, bashkia Shkodër.

Shpallet në kërkim porositësi i pakove ushqimore, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, Bashkia Shkodër.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 50 qeset me ushqime, si dhe automjeti me të cilin transportoheshin ato.

Strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shkodrës, kanë vijuar veprimet e thelluara hetimore për rastin e evidentuar mesditën e djeshme, në unazën perëndimore të qytetit të Shkodrës, ku shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën informative, si dhe si rezultat i kontrolleve të territorit me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve elektorale, shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, 3 punonjës të Bashkisë Shkodër, të cilët transportonin me një furgon, 50 pako me ushqime.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:

-E. I., 31 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike-Arsimore, Bashkia Shkodër;

-P. D., 49 vjeç, me detyrë Teknik i Shërbimeve Mbështetëse në Drejtorinë Ekonomike-Arsimore, Bashkia Shkodër;

-M. V., 63 vjeç, me detyrë Specialist i Financës në Drejtorisë Ekonomike-Arsimore, Bashkia Shkodër.

Gjithashtu, nga veprimet e thelluara hetimore në lidhje me këtë rast, u bë i mundur konstatimi i shtetasit që kishte porositur qeset me ushqime, konkretisht shtetasi A. B., 33 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, Bashkia Shkodër, i cili u shpall në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit