Meta denoncon: UKT shpërndau ujë të papërdorshëm, vendosën në rrezik shëndetin e banorëve të kryeqytetit”

Presidenti Ilir Meta ka denoncuar në rrjetet sociale Ndërmarrjen e Ujësjellësit të Tiranës.

Nëpërmjet një statusi në “Facebook” Meta shkruan se UKT Tiranë ka furnizuar me ujë të papërdorshëm sipas parametrave qytetarët e kryeqytetit, që sipas tij, meritojnë mbrojtje shëndetit përmes shërbimeve shtetërore.

Ndër të tjera Presidenti Meta bënë me dije se mbështet aktivizimin e shoqërisë civile për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga “papërgjegjshmëria dhe keqfunksionimi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës”.

Sipas Metës, kjo çështje duhet të ndiqet edhe në instancat më të larta shtetërore, ndërkohë të dhënat e bëra publike, duhet të vënë në lëvizje Prokurorinë për të hetuar deri ku arrin shkalla e përgjegjësisë.

Mesazhi i Metës:

Qytetarët e Tiranës meritojnë mbrojtje të garantuar të shëndetit përmes shërbimeve shtetërore, që mbahen dhe paguhen me taksat e tyre.
E përshëndes aktivizimin e shoqërisë civile në këtë rast për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga papërgjegjshmëria dhe keqfunksionimi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës, në varësi të Bashkisë, që siç faktohet nga të dhënat e bëra publike, ka rrezikuar jetën e tyre duke i furnizuar me ujë të papërdorshëm sipas parametrave.
Tashmë, që pritet arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, çështja duhet të ndiqet edhe në instancat më të larta shtetërore, ndërkohë të dhënat e bëra publike, duhet të vënë në lëvizje Prokurorinë për të hetuar deri ku arrin shkalla e përgjegjësisë dhe e shkeljes së ligjit, për të nxjerrë para drejtësisë këdo, që ka vendosur në rrezik masiv shëndetin e banorëve të kryeqytetit.
Mbrojtja e shëndetit dhe e jetës së qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, veçanërisht në këtë periudhë pandemie, duhet të jetë prioritet absolut.

Të Fundit