Merkel: Asnjë nga vendet e Ballkanit s’është gati për anëtarësim në BE – Stop
Lajme, Të Gjitha

Merkel: Asnjë nga vendet e Ballkanit s’është gati për anëtarësim në BE

Kancelarja gjermane Angela Merkel refuzoi të mërkurën në samitin e Sllovenisë të vendoste një datë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Përgjigja ime është jo. Nuk e mbështes propozimin pasi nuk i shërben kauzës. Mali i Zi ka hapur shumë kapituj dhe mund të bëhet shumë shpejt anëtar, ndaj unë nuk do t’i them Malit të Zi se data jote është gjithashtu 2030-a. Nuk besoj në vendosjen e datave, por besoj në mbajtjen e premtimeve. Sapo kushtet të jenë plotësuar, anëtarësimi do të ndodhë. Deri tani, asnjë vend nuk i përmbush kushtet e anëtarësimit”, tha Merkel.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron tha në të njëjtin event se Ballkani është në rrugën e integrimit në BE dhe vendeve të rajonit duhet t’u tregohet që janë pjesë e Evropës, që meritojnë investime, ekonomi dhe një anëtarësim eventual.

“Dëshira jonë është t’u japim vendeve ballkanase një perspektivë evropiane në një afat të shkurtër, pasi ato janë në zemër të Evropës. Mjafton të shikosh hartën. Sot teksa flasim kemi parë një përsëritje të historisë dhe tensioneve. Duhet t’u përgjigjemi atyre me angazhim politik dhe gjithashtu investime për të lejuar një integrim më të madh tregtar dhe njerëzor në rajon dhe në fund të kemi një politikë të përbashkët për minoritetet, që janë një çështje që prek të gjithë rajonin”, u shpreh Macron.

Një datë anëtarësimi do të vendoste nën presion BE-në, pavarësisht nëse vendet e Ballkanit perëndimor do t’i përmbushnin apo jo kushtet e vendosura nga blloku 27-anëtarësh – shtoi më tej kancelarja Merkel.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *