STOP-EMISIONI 44(Sezoni 12) 9 Nentor 2026-Cudia, ben zdrukthtari ne garazh pallati, banoret ankohen per zhurme e ndotje te depozitave

Banorët e një pallati në Yzberisht i janë drejtuar emisionit “Stop”, për të denoncuar një zdrukthtari, që ushtron aktivitetin në garazhin e pallatit. Ata ankohen për zhurmat dhe ndotjen e shkaktuar nga puna e subjektit, i cili, sipas tyre, operon pa orar dhe u ka kthyer jetesën në pallat në shqetësim të vazhdueshëm. Banorët thonë, se edhe depozitat e ujit po ndoten dhe ashensorin nuk e përdorin dot nga pluhuri. Ata tregojnë, se janë ankuar pranë Bashkisë, Policisë Bashkiake dhe IKMT-së, por asnjë ndërhyrje nuk ka sjellë zgjidhje. Pas verifikimeve, “Stop” konstaton, se zdrukthtaria, në pronësi të Hysen Myftarajt, nuk disponon leje për ushtrimin e aktivitetit. I pyetur nga emisioni, Myftaraj premton, se do të pajiset me leje, ose do të largohet nga pallati në muajin dhjetor.

Një situatë shqetësuese paraqitet në rrugën “5 Maji” në Tiranë, ku trotuaret janë të bllokuara nga automjetet e parkuara në të dyja anët. Fëmijët dhe këmbësorët detyrohen të ecin në rrugë, mes makinave në lëvizje, duke u ekspozuar ndaj rrezikut të aksidenteve. Edhe pse trotuaret duhet të shërbejnë për kalimin e qytetarëve, ato janë kthyer në parkim makinash, duke ua vështirësuar veçanërisht lëvizjen fëmijëve.

Alidie Troka denoncon në emisionin “Stop” një problem me faturimin e ujit në një apartament, që kishte në pronësi në Vlorë. Që prej vitit 2013, ajo kishte kaluar kontratën e ujit dhe të energjisë elektrike në emër të motrës, e cila banonte në këtë shtëpi, ndërsa të gjitha faturat ishin paguar rregullisht. Më pas, Alidia vendosi ta shiste apartamentin, por edhe dy vite pas shitjes, faturat e ujit vazhdonin të dilnin njëkohësisht në emrin e saj dhe të pronares së re. Si pasojë, në emrin e Alidie Trokës rezultonte një detyrim prej 800 mijë lekësh të vjetra, pavarësisht, se ajo pretendon, se nuk kishte asnjë faturë të papaguar. Pavarësisht ankesave të përsëritura, nuk kishte marrë zgjidhje. Pas ndërhyrjes së “Stop”, përgjegjësi i njësisë konfirmoi, se ishte në dijeni të problemit dhe premtoi, se çështja do të zgjidhet brenda muajit.

Të Fundit