“Betohem të mbaj me nder flamurin e Policisë së Shtetit!”, Gledis Nano: Profesioni im, jo zgjedhje karriere, pasion i frymëzuar nga babai

Gledis Nano, do të jetë nga sot Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ai ka marrë detyrën sot nga Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në një ceremoni zyrtare duke bërë dhe betimin për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit.

Nano tha se profesioni i tij nuk ishte një zgjedhje karriere, por pasion i frymëzuar nga babai ish-oficer i policisë. Nano dha edhe një mesazh për qytetarët që ta konsiderojnë policinë si partner.

“I nderuar kryeministër, në këtë çast solemn në shenjë nderimi detyrimi dhe respekti për gjakun e punonjësve të policisë, ne emër të të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, në nderin tim personal, betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit! Betohem!
Besimi i kësaj detyre përveç privilegjit më ngarkon me përgjegjësi për të qenë ne lartësinë e detyrës. Profesioni im nuk ishte një zgjedhje karriere, por pasion i frymëzuar nga babai im, ish-oficer policie. Në këto dekada kam kuptuar se ky institucion është një pjesë kryesore e jetës sime që kërkon angazhim të lartë. Sfidat për policinë janë të shumëfishta. Qytetarët presin nga Policia e Shtetit standarde të tjera reagimi dhe sjelljeje në zgjidhjen e shqetësimeve të tyre dhe ne do bëjmë ç’ështe e mundur për t’i arritur. Kërkoj prej tyre ta konsiderojnë organizatën tonë si një partner. Roli i tyre është i pazëvendësueshëm në punë tonë.
Prioriteti im, intensifikimi i bashkëpunimit me të gjitha agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët. Një polici më e trajnuar.
Dua t’i uroj çdo kolegu suksese në përmbushjen e detyrës. Kërkoj angazhimin tuaj maksimal në realizimin e detyrave sipas betimit që kemi bërë”, deklaroi Nano.

Të Fundit