Me thikë e pistoletë false, jo të gjithë dalin në shesh për të festuar…

Dy të rinj janë arrestuar sot në Tiranë. Policia bën me dije se K. B., 20 vjeç dhe R. B., 16 vjeç kanë kërcënuar me thikë dhe pistoletë false qytetarë të ndryshëm te sheshi “Skënderbej” për t’i grabitur.

Mësohet se ata kishin arritur t’u vidhnin sendet personale 3 qytetarëve gjatë ditëve të fundit.

Njoftimi i plotë i policisë:

Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Saga”. Duke i kërcënuar me mjet prerës (thikë) dhe me pistoletë false, u vodhën qytetarëve të ndryshëm, në sheshin “Skënderbej”, sende personale, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Procedohet penalisht edhe një 14-vjeçar, i dyshuar i përfshirë në këto raste. Sekuestrohen sendet e kundërligjshme me të cilat këta shtetas kryen vjedhjet, si dhe sende me vlerë, të vjedhura.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, si dhe si rezultat i ndjekjes së menjëhershme të informacioneve të marra në rrugë operative, për raste vjedhjesh në sheshin “Skënderbej”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Saga”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit K. B., 20 vjeç dhe R. B., 16 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për një 14-vjeçar.

Shërbimet e Policisë i kanë arrestuar në flagrancë këta shtetas, në sheshin “Skënderbej”, pasi duke i kërcënuar me mjete prerëse (thika) dhe me një pistoletë false, u kishin vjedhur sendet personale, 3 shtetasve, gjatë ditëve të fundit.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan një pistoletë false, 2 mjete prerëse (thika), sende me vlerë, të dyshuara të vjedhura dhe 3 aparate celulare.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit