Numri i shoferëve të cilët kanë tentuar të korruptojnë punonjësin e policisë ka shkuar në 67, nga 66 që ishte vetëm dy ditë më parë.
Qytetari me inicialet Sh.Sh. i cili u ndalua nga policia pasi nuk kishte vendosur rripin e sigurimit dhe po përdorte aparatin celular ndërsa drejtonte makinën ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, duke i ofruar atyre një shumë parash.
“Shkon në 67 numri i drejtuesve të automjeteve, të cilët kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e detyrimeve ligjore apo të masave administrative.
Gjatë kontrolleve parandaluese, shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore, në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin Sh. Sh., pasi po përdorte aparatin celular dhe nuk kishte vendosur rripin e sigurimit.
Me qëllim shmangien e masës administrative, ky shtetas ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, duke i ofruar atyre një shumë parash.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike””,-thuhet në njoftimin e policisë.