Më shumë aksidente në korsitë e dedikuara, policia: Çiklistë e motoristë të shkujdesur, shkelin rregullat

Në kryeqytet lëvizet me biçikletë me celularë në duar, jashtë korsive të dedikuara dhe pa pritur që të ndizet drita jeshile e semaforëve. Të shkujdesur në koristë e biçikletave dhe pa kaskën mbrojtëse qarkullojnë edhe ata që përdorin motorët.

Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave të policisë motoçiklistët janë përfshirë në 91 aksidente nga të cilat 2 persona kanë humbur jetën, 13 kanë mbetur të plagosur rëndë dhe 86 të tjerë të plagosur lehtë.

Ndërsa çiklistët janë përfshirë në 39 aksidente, ku nje ka humbur jeten, 4 janë plagosur rëndë dhe 36 janë plagosur lehtë.

“Rezultojnë që të dyja kategoritë janë shkelës permanent të rregullave të qarkullimit dhe sigurisht tregojnë pakujdesi dhe vetëbesim të tepruar gjatë gjithë kohës dhe jo më kot janë kategoria më e përfshirë në aksidentet rrugore,” – tha shefi i Trafikut Urban Taulant Gjoka.

Eksperti i sigurisë rrugore Islam Qibini thotë se motoristët janë më të përfshirë në aksidente rrugore pasi shpesh bëjnë parakalime të gabuara shoqëruar me mospërdorimin e kaskave mbrojtëse.

“Drejtuesit e motoçikletave duhet të kenë kaskë mbrojtëse, jo vetëm drejtuesit por edhe pasagjeri. Duhet të qarkullojë në krahun e djathtë, nuk duhet të bëjë parakalime, sepse nëse një drejtues motori nuk ka njohuritë bazë është burim rreziku,” – tha eksperti rrugor Islam Qibini.

Rrugët më problematike për drejtuesit e biçikletave dhe motorëve janë:

Unaza, në gjithë gjatësinë e saj
Rruga e Kavajës
Rruga e Dibrës
Zona e pallatit me Shigjeta
Rruga Dritan Hoxha
“Ngjarjet me biçikleta na ndodhin më së shumti atje ku ka edhe korsi të dedikuara dhe kjo është për të ardhur keq. Për gjashtë mujorin e parë Tirana mund të ketë rreth 800 masa sa i përket kaskave mbrojtëse dhe më shumë se 200 masa për mjetet me pedale ose çiklistët,” – thotë zyrtari i policisë Taulant Gjoka.

Ndërkohë eksperti i sigurisë rrugore ngre shqetësimin e mos regjistrimit të mjeteve me kubik të vogël, motorëve elektrik, patinave dhe skuterët, pasi sipas tij vitet e fundit janë bërë problem për aksidentet në rrugë.

“Këta janë jashtë kontrollit të policisë rrugore, të cilat nuk kanë bazën ligjore për të marrë një masë administrative ndaj këtyre. Fillimisht duhet vënë baza ligjore. Drejtoria e përgjithshme e transporteve duhet të shikojë legjislacionin në mënyrë që këto motorë të jenë të regjistruar,” – thotë Qibini.

Të Fundit