Në fshatin Backë të Skraparit, Hatem Gurra, një fermer, që ka lidhur kontratë qiraje për kullotjen e bagëtive dhe ka shlyer detyrimet ndaj bashkisë, prej kohësh përballet me një konflikt për kullotën, që përdor. Një person tjetër pretendon, se sipërfaqja i përket atij, ndërsa mosmarrëveshja e pazgjidhur, po i sjell pasoja të rënda fermerit, të cilit, sipas denoncimit, po i ngordhin delet.Përgjegjësi i Shërbimit Pyjor, Besnik Demko, pohon, se Hatem Gurra ka të drejtë në kërkesën e tij dhe se pala tjetër ka një parcelë të ndryshme, por përpjekjet e bëra deri më tani nuk kanë sjellë zgjidhje. Nga ana tjetër, Luan Gjoni i kundërshton pretendimet e fermerit, duke këmbëngulur, se prona është e regjistruar me dokumentacion të rregullt dhe se nuk ka arsye të përfshihet në një proces gjyqësor.Ndërkohë, kryetari i Bashkisë, Adriatik Mema, pranon, se është në dijeni të problematikës dhe premton, se do të ringrejë një grup pune, në bashkëpunim me komisariatin, për t’i dhënë drejtim konfliktit.


