Mbushi Europën me drogë, autoritetet amerikane: Ylli Didanit i janë sekuestruar 3400 kg kokainë

Ylli Didani është shqiptari i cili dyshohet si kreu i një organizate ndërkombëtare për trafikun e drogës dhe është arrestuar më 31 Mars të këtij viti në Karolinën e Veriut në SHBA. Mediat amerikane shkruajnë se ndaj 43-vjeçarit rëndon akuza e trafikut të kokainës.

Sipas prokurores së kësaj çështje, Saima Mohsin, Didani dhe disa persona të tjerë planifikuan dhe financuan shpërndarjen e kokainës në disa vende të ndryshme.

Sasitë e kokainës së sekuestruara nga autoritetet
Pretendohet se Didani ka organizuar shpërndarjen e disa ngarkesave të mëdha me kokainë nga Amerika e Jugut në Europë. Në vitin 2019 dhe 2020, autoritetet thonë se kanë sekuestruar më shumë se 3400 kilogramë kokainë nga kjo organizatë kriminale dhe nëse do të dilte në treg do të kishte një vlerë që do të arrinte deri në 100 milionë Dollarë.

Më 11 Gusht 2019, autoritetet në një port të Holandës sekuestruan 753 kilogramë kokainë. Sasia e drogës ishte mes një kontejneri që vinte nga Ekuadori dhe kishte banane. Në fund u zbulua se sasia ishte porositur nga një kompani në Gjermani dhe në vend të bananeve, kontejneri ishte mbushur me kokainë.

Në Shkurt të vitit 2020, agjentët e DEA-s në Holandë shpërndanë informacionin se një sasi kokaine e futur në një kontejner ishte financuar dhe organizuar nga Didani. Autoritetet mundën që të sekuestronin në bazë të këtij informacioni 644 kilogramë kokainë.

Gjatë kësaj periudhe sipas autoriteteve është bërë e mundur kapja edhe e një sasie tjetër shumë të madhe droge në Holandë, (sekuestruar më 7 Prill rreth 1000 kilogramë kokainë) dhe Spanjë (sekuestruar rreth 1100 kg kokainë) që ishte nisur nga organizata e Didanit. Ylli Didani u arrestua më 31 Mars të këtij viti dhe do të përballet me akuzën e trafikut të kokainës.

“Kjo është një ndjekje ligjore e rëndësishme ndaj një organizate trafiku droge të mirëorganizuar dhe të madhe që është përfshirë në shpërndarjen e mijërave kilogramë kokainë me vlerë dhjetëra milionë Dollarë në disa kontinente të ndryshme”, tha Mohsin duke falenderuar autoritetet për punën që sipas saj u kulmuan me ngritjen e padisë më 1 Prill.

Ylli Didani është emër i njohur edhe për drejtësinë shqiptare. Në vitin 2017 atij i janë sekuestruar nga policia e Tiranës 460 mijë dollarë. Didani, më herët ka qenë i arrestuar në Tiranë për kundërshtim të efektivëve blu, sipas një njoftimi zyrtar të policisë së datës 14 Prill 2015.

Të Fundit