“Mbajtët sekret gripin e pulave”, Berisha: Kjo do të jetë pranvera e protestave të mëdha

Ish-kryeministri, Sali Berisha, foli në Kuvend në lidhje me krizën e thellë të çmimeve në vend.

Ai tha se qeveria pasurohet me mjerimin e shqiptarëve.

“Fatkeqësitë i shndërron në dramë dhe tragjedi vetëm kjo qeveri. Hajduti ka vetëm refleksin e vjedhjes, nuk ka ndjenja”.

“Lajmëtari i rritjes së çmimeve të energjisë është kreu i qeverisë. Nuk ndodh në botë të bëhesh zëdhënës i kompanive të naftës, pa pasur aksione në këto kompani. 

Tregu i naftës ka pësuar goditje nga lufta, por nafta këtu ka katër taksa dhe tre tarifa. Sot Italia hoqi akcizën, 13 vende të tjera të BE kanë ulur taksën mbi naftën. Atëherë çfarë është kjo kokëfortësi e tmerrshme?” tha Berisha.

Sipas tij, me këtë qeveri, vendi kalon nga kriza në krizë.

“Së fundmi na sollën edhe gripin e pulave, sepse mbajnë sekret qeveritar një sëmundje, e cila duhet të deklarohet kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht se përbën problem edhe për rajonin. U deklarua vetëm kur u sakrifikuan miliona pula.

Po njerëzit? Apo le të vdisnin mjafton që të ruhej reputacioni i qeveritarëve,” tha Berisha.

Në fund, ai bëri thirrje për protesta masive.

“E mbyll këtë fjalë duke u bërë thirrje qytetarëve që kjo pranverë, të jetë pranvera e protestave të mëdha”.

Të Fundit