Fatbardha ka denoncuar në emisionin “Stop” Drejtorinë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Gjirokastër, duke pretenduar, se prej rreth 10 vitesh nuk regjistrohen dëshmitë e trashëgimisë për një pasuri familjare.Sipas saj, bëhet fjalë për mbi 600 hektarë pyll dhe rreth 900 hektarë kullota në Pogon, përfshirë fshatin Çatistër dhe zonat malore përreth. Pasuria rezulton e pajisur me certifikatë pronësie në emër të babait dhe xhaxhait të saj. Pas vdekjes së babait në vitin 2016, trashëgimtarët kanë hasur pengesa të vazhdueshme për regjistrimin e dëshmive të trashëgimisë.Fatbardha thotë se, pavarësisht certifikatave ekzistuese, trashëgimtarët e tjerë nuk kanë mundur të finalizojnë regjistrimin, duke rrezikuar të ardhmen e pronës.Sipas saj, ish-drejtori i ASHK Gjirokastër, Florian Taci, më herët kishte pretenduar, se familja nuk kishte të drejta mbi pronën, por në takimet e mëvonshme është pranuar, se prona u përket dhe se problemet janë “teknike”. Avokati Arben Llangozi e ka cilësuar mosregjistrimin e dëshmive të trashëgimisë si shpërdorim detyre, duke theksuar, se kjo sjell bllokim të të drejtave pronësore të qytetarëve.Nga ana tjetër, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka argumentuar, se vonesat lidhen me mbivendosje pronash me pretendime të Bashkisë Dropull, si dhe me procedime penale dhe hetime nga Avokatura e Shtetit.




