Largohet nga detyra drejtori i SHISH, Helidon Bendo

Helidon Bendo është larguar nga detyra si drejtor i Shërbimit Informativ të Shtetit. Presidenti Bajram Begaj ka firmosur ditën e sotme dekretin për lirimin e tij nga posti pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama.

“Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafit 2, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar, me propozim të Kryeministrit, dekretoj: Zoti Helidon Bendo, lirohet nga detyra e drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar”, njoftoi Presidenca.

Kryeministri Edi Rama njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se Bendo ka dhënë dorëheqjen dhe se në vijim do të angazhohet si këshilltar i tij për reformën në institucionet e sigurisë.

Helidon Bendo u emërua në detyrën e Drejtorit të SHISH më 5 Nëntor 2018. Bendo është një inspektor karriere, pasi iu bashkua shërbimit inteligjent në vitin 1995. Ai ka një eksperiencë të gjerë në detyra të ndryshme në Aparatin Qendror dhe bazë.

Bendo është diplomuar për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ka një master në studime për sigurinë, si dhe trajnime të ndryshme brenda e jashtë vendit.

Largimi i Bendos nga SHISH, reagon Rama: Ka dorëzuar dorëheqjen

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar përmes një postimi në rrjetet sociale se Helidon Bendo ka paraqitur dorëheqjen nga posti i Drejtorit të SHISH. Sipas tij, shkak është vazhdimi i studimeve të tij pasuniversitare në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë në SHBA.

“Me Helidon Bendon, Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili për arsye të vazhdimit të studimeve pasuniversitare në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë, pranë Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, ka dorëzuar dorëheqjen”, shkruan Rama, teksa ka publikuar edhe një foto bashkë me Bendon.

Rama njofton se në vijim Bendo do të shërbejë si këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë.

“Ai do të angazhohet në vijim si këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë”, shprehet Rama./tvklan.al

Të Fundit