Kuvendi: Të shkurtohen stafet e ujësjellësve, të shihen rrogat e shpërblimet

Ujësjellësit po mbajnë në punë individë, të cilët marrin paga dhe shpërblime të panevojshme. Për këtë arsye, kuvendi i kërkon Entit Rregullator të Ujit të shkurtojë numrin e punonjësve në shoqëritë që kanë krijuar borxhe.

Punësimet nepotike dhe fryrja e borderove në ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve duhet të marrin fund. Kjo problematike është hasur në vite në këto ndërrmarrje, dhe ka ndikuar në rritjen e kostove dhe borxheve, e megjithatë nuk është zgjidhur në shumë prej bashkive të vendit.

Për këtë arsye, tashmë i kërkohet Entit Rregullator të Ujit të marrë vendimet. Kërkesa i drejtohet ERRU-së nga Kuvendi, ku i thuhet, që të reduktojë stafin të tepërt të shoqërive rajonale, kur këto të aplikojnë për tarifa  të  reja  pranë  saj.

Po ashtu, Entit i kërkohet të monitorojë edhe pagat e shpërblimet, të cilat edhe këto janë ndarë pa kriter, duke ndikuar në rritjen e shpenzimeve.

Ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve janë ndër më problematiket sa i takon bilanceve të tyre ku shumica rezultojnë të jenë me humbje. Vlerësohet se vetëm faturat e papaguara për energjinë elektrike të tyre arrijnë 190 mln euro sot.

Për këtë arsye, qeveria nisi një reformë për bashkimin rajonal të tyre, duke synuar reduktim të shpenzimeve dhe performancë më të mirë në sektor.

 

Të Fundit