Korrupsion, mashtrim dhe shkelje besimi/ Nis gjyqi kundër Kryeministrit të Izraelit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tashmë është zyrtarisht i pandehur, pasi në një gjykatë në Jerusalem ka nisur gjyqi kundër tij për korrupsion. 71-vjeçari Netanyahu, akuzohet për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në lidhje me tre çështje të veçanta.

Gjyqi i tij është shtyrë disa herë për shkak të kufizimeve të lidhura me koronavirusin dhe zgjedhjeve të përgjithshme gjatë muajit të kaluar.

Akuzat për Netanyahun

Kryeministri akuzohet se ka marrë dhurata, kryesisht puro dhe shishe shampanje, nga biznesmenë të fuqishëm në këmbim të favoreve.

Po ashtu Netanyahu akuzohet se ka ofruar për të ndihmuar në përmirësimin e qarkullimit të gazetës izraelite Yediot Ahronot në këmbim të një mbulimi pozitiv.

Rasti i tretë që akuzohet, është marrja e vendimeve në favor të gjigantit telekomit të Bezeq, Shaul Elovitch, në këmbim të mbulim pozitiv nga faqja e lajmeve Walla.

Ndërkohë Netanyahu është në pozitë të vështirë dhe në politikë, pasi nuk arriti që të merrte një rezultat të kënaqshëm në zgjedhjet e fundit. Por sërish ai mund të mbetet në krye të qeverisë dhe mund të përfitojë nga imuniteti që i jep pozita e lartë shtetërore./tvklan.al

Të Fundit