Kontroll i befasishëm në Burgun e “Vipave” në Durrës, gjenden tre iPhone

Një aksion i befasishëm është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës, në kuadër të masave për forcimin e sigurisë në burgje.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, operacioni u ndërmor pas informacioneve të siguruara nga strukturat operative dhe një analize të detajuar të riskut. Kontrolli u zhvillua në zbatim të Urdhrit Nr. 626, datë 07.04.2026, me pjesëmarrjen e Forcave Speciale të këtij institucioni.

Gjatë kontrollit në ambientet e brendshme dhe të jashtme të burgut, autoritetet bënë të mundur sekuestrimin e tre telefonave celularë tip “iPhone”, të cilët rezultonin të ndezur dhe funksionalë.

Njëri prej tyre u gjet në posedim të një të paraburgosuri me iniciale B.G., ndërsa dy të tjerë, së bashku me një palë kufje “bluetooth”, u konstatuan në ambiente të institucionit pa persona përgjegjës.

Menjëherë pas konstatimeve, autoritetet ndërmorën veprimet përkatëse procedurale, duke veçuar të paraburgosurin, hartuar raportin e incidentit dhe procesverbalin përkatës për bllokimin e sendeve të ndaluara. Materialet janë referuar pranë strukturave përgjegjëse për hetime të mëtejshme.

Drejtoria e Burgjeve thekson se aksione të tilla do të vijojnë me intensitet në të gjitha institucionet penitenciare në vend, duke nënvizuar një qasje me “zero tolerancë” ndaj çdo shkeljeje që cenon sigurinë.

Të Fundit