Konferenca ndërkombëtare, Çuçi: Shqipëria kontribuon në sigurinë e Evropës

“Shqipëria është sot një vend që kontribuon në sigurinë e Europës edhe merr pjesë aktive në operacione të përbashkëta policore dhe në adresimin e sfidave të tjera që lidhen me sundimin e ligjit, rendit e sigurisë publike”, kështu deklaroi ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e Policive të Kryeqyteteve Europiane, e cila kësaj radhe u zhvillua në Tiranë.

“Vendi ynë qe i pari në Ballkanin Perëndimor që nënshkroi marrëveshjen me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX), e cila vijon e ka rezultuar shumë e suksesshme në menaxhimin e kufirit dhe flukseve migratore që i drejtohen kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian. Dihet gjithashtu gjerësisht fakti se ne e kemi kaluar tashmë prej kohësh fazën kur vetëm shkëmbenim informacione me partnerët tanë për hetimin dhe goditjen e grupeve kriminale. Sot jemi pjesëmarrës aktivë dhe me rol drejtues në Skuadra të Përbashkëta Hetimore dhe në operacione ndërkombëtare për goditjen e grupeve kriminale. Dhe kjo nuk është kurrsesi një fazë e rastësishme, por dëshmi domethënëse e besimit që është krijuar nga partnerët evropianë te Shqipëria, gjë e cila na vesh edhe më shumë me përgjegjësi”, deklaroi ministri Çuçi.

Më tej ai theksoi se Policia e Shtetit është sot një ndër institucionet më të besueshme në Shqipëri, e konfirmuar kjo edhe nga studime të vendeve tona partnere. Çuçi foli gjithashtu për modernizimin e Policisë së Shtetit.

“Vitet e fundit kemi afruar rreth 3 mijë të rinj duke ulur moshën mesatare të efektivëve tanë, trend që do ta ruajmë për të arritur te mesatarja e vendeve të BE-së. Njëherësh ne jemi tejet të fokusuar tek rritja e cilësisë së edukimit dhe trajnimit policor për të rinjtë që i bashkohen shërbimit. Këtë ambicie po e konkretizojmë me partnerë si Italia, në mënyrë që Akademia e Sigurisë të jetë në rangun e simotrave të saj europiane. Sfidë për ne ka qenë shtrirja tërësore e modernizimit të Policisë së Shtetit përmes investimeve në teknologji dhe pajisje inteligjente. Askush më mirë se ju se di që vetëm përmes avantazheve që krijon teknologjia, vende të vogla si Shqipëria mund të bëjnë kapërcime domethenese dhe të rrisin cilësisht punën në drejtim të uljes së kriminalitetit në të gjitha format e tij”, tha Çuçi.

Në fund Ministri i Brendshëm kërkoi më shumë bashkërendim të punës për të goditur krimin e organizuar i cili po bëhet gjithmonë e më shumë transnacional. E po kështu vëmendje e vecantë i duhet kushtuar edhe krimit kibernetik sipas tij.

“Ne kemi nisur një etapë të re dhe të vështirë investimesh të mbrojtjes kibernetike. Ky është një proces i gjatë dhe ku natyrisht ekspertiza e lartë europiane nga vendet tuaja është e mirëpritur”, tha ministri i Brendshëm Çuçi.

Të Fundit