Kërkon kandidimin në Tiranë, tërheq vëmendjen postimi i fundit i Ilir Alimehmetit

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti nuk e ka shpallur ende zyrtarisht kandidaturën për primaret e Tiranës, megjithatë as nuk i ka hedhur poshtë as zërat që thonë se mund të marrë pjesë në garën për kryeqytetin mes të djathtëve.

Së fundmi, mjeku që u bë më i njohur gjatë pandemisë për shqiptarët, ka nisur të trajtojë edhe problematikat që e shqetësojnë Tiranën. Mëngjesin e së martës, Alimehmeti ka publikuar një foto nga rrugët e bllokuara të kryeqytetit, siç ndodh kryesisht mëngjeseve kur qytetarët nisen për në punë apo çojnë fëmijët në kopshte e shkolla.

“Mirëmëngjes nga Tirana jonë e bllokuar, pa qenë as ditë shiu, që na humbet të paktën gjysëm ore çdo rrugë që kalon drejt ose nëpër Tiranë!

Për më shumë, e gjitha kjo kohë humbet duke djegur naftën më të shtrenjtë në Europë! Dhe, në fund, shkon e punon me nerva që në mëngjes për të marrë rrogën më të ulët në Europë!” shkruan Alimehmeti në postimin e tij.

Kujtojmë se deri më tani, kandidaturën zyrtarisht e kanë shpallur deputeti Belind Këlliçi dhe ish-deputeti demokrat Gert Bogdani. Emra të tjerë të lakuar si kandidatë të mundshëm për primaret janë deputetja Jorida Tabaku e aktori i humorit Julian Deda.

Të Fundit