“Kërkesa e ambasadores Yuri Kim për mosfutjen time në Kuvend dëshmon se…”! Berisha: Shpallja “non grata”, hakmarrje!

Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sqaroi arsyet pse e ka paditur Sekretarin e Shtetit Amerikan, Anthony Blinken, pasi ky i fundit e shpalli “non grata”, duke i ndaluar hyrjen në SHBA, së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij.

Në një konferencë për media, Berisha deklaroi se padia nuk është për faktin që Blinken i ka ndaluar hyrjen në SHBA, pasi është e drejtë e tij të vendosë se kush duhet të hyjë e kush jo në vendin e tij, por kjo padi, sipas deputetit të zgjedhur, është për dinjitetin.

Teksa e cilësoi shpalljen e tij “non grata” një vendim politik, pasi së cilit, siç theksoi ai, fshihet George Soros dhe Edi Rama, Berisha u shpreh se deri më sot nuk është publikuar asnjë fakt apo provë për korrupsion të tij gjatë 30 viteve në politikë.

“Me këtë rast dëshiroj t’iu informoj, së pari sot pas 77 vitesh jetë, kjo është hera e parë që unë i drejtohem një gjykate dhe kurrë ndonjëherë nuk kisha imagjinuar se do të detyrohesha të ngrija padi ndaj Sekretarit të SHBA, të një vendi që e admiroj aq shumë. Së dyti, në këtë padi kërkoj të mbroj dinjitetin tim, të familjes sime dhe të gjithë shqiptarëve, që gjatë 30 viteve karrierë politike i kam përfaqësuar kudo me dinjitet. Pra, kjo padi është betejë për dinjitetin njerëzor. Së treti, në këtë padi kërkoj të bëj transparencë të plotë para shqiptarëve, që në 30 vite më kanë votuar më shumë se këdo tjetër në këtë vend, dhe para miqve të mi, dhe të provoj se ky vendim është fund e krye politik, pa asnjë bazë.

Karakterin politik të këtij vendimi e provon fakti se me gjithë kërkesën e paraqitur në letrën time drejtuar Sekretarit Blinken për të bërë publike çdo fakt e provë që disponon, deri më sot nuk është paraqitur asnjë e vetme, për shkakun e vetëm se ato nuk ekzistojnë. Kjo dëshmon se vendimi i marrë kundër meje e familjarëve të mi bazohet në shpifje e trillime të kundërshtarëve të mi, George Soros dhe Edi Rama. Është një hakmarrje për denoncimin tim kundër lidhjeve të Edi Ramës me drogën, krimin, si dhe një hakmarrje për denoncimin tim kundër Soros. Por edhe një hakmarrje të kundërshtimit tim të prerë për ndryshimin e kufijve të Kosovës.

Ky vendim është fund e krye politik. Pavarësisht nga këto, unë nuk kam ngritur padi kundër vendimit hakmarrës politik. Është e drejtë e Bliken të përcaktojë se kush do të hyjë e kush jo në vendin e tij, por unë kam ngritur padi mbi shpifjet. Që ky vendim është politik e dëshmon edhe kërkesa publike e ambasadores Yuri Kim për mosfutjen time në Parlament, duke mos pasur asnjë fakt, provë apo dokument për t’iu paraqitur shqiptarëve, përveç kërcënimeve, që ka përdorur dikur Enver Hoxha. Shpreh besimin tim të plotë te paanësia e gjykatës. Mbi këtë planet nuk ekziston person në botë, që mund të ketë një provë, që të faktojë korrupsionin për Sali Berisha”, tha Berisha

Të Fundit