Në mes të muajit prill transmetuam një konflikt mes ortakëve të një shoqërie të krijuar që në vitin 1994, që coi në zbulimin e një ndërtimi të madh pa leje në zonën e Paskuqanit, në Bashkinë Kamëz. Denoncimi u bë nga Dritan Qoqi, i cili jeton në Angli, ndaj ortakut të tij Alfred Gjata, që zotëron 51% të aksioneve të shoqërisë, ndërsa 49% i përkiste familjes së babait të Dritanit, tashmë i ndjerë.Sipas denoncimit, Gjata kishte ndërmarrë veprime të njëanshme në administrimin e kompanisë, duke zhvilluar mbledhje fiktive dhe duke ndryshuar administratorin, pa dijeninë e bashkëpronarëve, që jetojnë prej vitesh në Angli. Situata u rëndua më tej, kur në pronën e përbashkët prej rreth 1400 m², e rrethuar me mur në Paskuqan, nisi ndërtimi i një kapanoni të madh pa leje ndërtimi dhe pa miratimin e të gjithë ortakëve.Gazetarët e emisionit “Stop” verifikuan në terren, se ndërtimi ishte në zhvillim e sipër, ndërsa përfaqësuesit e shoqërisë, përfshirë administratorin Petrin Dodona dhe vetë Alfred Gjatën, nuk dhanë përgjigje për këtë situatë.Ne iu drejtuam Bashkisë Kamëz dhe IMT-së, ndërsa në terren konfirmuam sërish vijimin e punimeve, për të cilin, u njoftua dhe policia dhe OPGJ i Prokurorisë. Në përfundim, u procedua sërish me gjobë dhe u urdhërua arrestimi i Alfred Gjatës, i shpallur në kërkim.



