Kanabisi në serat me domate, ministrja Ekonomi: Marrëveshje me policinë për eksperimente me fara të dyshuara – Stop
Aktualitet, Të Gjitha

Kanabisi në serat me domate, ministrja Ekonomi: Marrëveshje me policinë për eksperimente me fara të dyshuara

TIRANË

Ministrja e Bujqësisë Milva Ekonomi ka sqaruar sot në Neës24, shfaqjen në pamjet filmike të vetë institucionit gjatë aktiviteti në Lushnjë të bimëve të kanabisit pranë domateve.

Ekonomi tha se ka një marrëveshje prej vitit 2010 me Prokurorinë dhe Policinë për mbjelljen e farave të dyshuara që më pas në varësi të rezultatit sjellin vendimet e këtyre institucioneve.

“Në Ministrinë e Bujqësisë funksionojnë dhe 5 institucione varësie, janë të shpërndara në të gjithë vendin, kanë detyra të ndryshme shkencore. Si të tilla merren dhe mënyrën si duhet të kultivohen perimet, si duhet të mbarështohet një gjedh e me radhë. Që nga 2010 e këtej, në këto qendra që janë shtetërore, mes prokurorisë, policisë dhe Qendrës së Fushë-Krujës, ka pasur një marrëveshje për të bërë eksperimente për fara të dyshuara. Do përdorë për këtë një bazë eksperimentale dhe baza është sera. Janë bimë që kanë cikël 1-vjeçar, quhen perime dhe do shihen në një serë.

Ndërgjegjja profesionale e stafit të Ministrisë së Bujqësisë është e lartë, ato marrin sipas atyre që sjell prokuroria këtë farë në kushtet e serës. Fara mund të qëllojë të jetë kanabis, por mund të jetë dhe spinaq, apo kërp dhe ka nevojë për një rritje biologjike që prokuroria e policia të ndërmarrë një vendim. Nëse rezulton kanabis e merr prokuroria, nuk është detyra jonë, ne jemi vetëm një hallkë”, deklaroi ajo.

Ministrja tha se është një nga detyrat që kryen një qendër bujqësore në varësinë e Ministrisë së Bujqësisë. “Ne nuk e kemi për detyrë këtë gjë. Ne e rrisim e merr policia e çon në një laborator tjetër”, u shpreh Ekonomi.

Duke u ndalur tek arrestimet e fundit nga SPAK, Ekonomi tha se ky institucion po vepron në mënyrë të rastësishme, duke u ndalur tek dosjet e fundit që janë denoncuar Ajo theksoi se aksionet e SPAK tregojnë se korrupsioni ndëshkohet.

“Unë mendoj se e para e punës është se drejtësia e re po vepron. SPAK vepron në mënyrë të rastësishme, pasi e para që duhej të ishte marrë ishte Gërdeci dhe ‘21 Janari’. Por ajo po vepron me dosjet që ka në tryezë. Po vepron sipas denoncimeve që ka. Këto veprime që po bën SPAK janë veprime që tregojnë se korrupsioni ndëshkohet. Nga ana tjetër tregojnë dhe një pavarësi të SPAK, i cili vepron sipas udhëzuesve të vetë të bërjes së detyrave. S’ka influencë. Tenderimet janë krejt të pavarura nga figura e ministrit. Ministri mund t’i survejojë, por se ka ai përgjegjësi. Ne bëjmë përpjekje që t’i kemi gjërat në sistem, dhe t’i kemi gjërat sa më larg. Dhe ligji i ri që kaloi së fundmi në Parlament, ka synim që të nxit konkurrencën mes kompanive. Veprimet e SPAK dhe ligji i prokurimeve, kërkojnë që njerëzit të punojnë në administratë, duhet të bëjnë përmirësime. Drejtësia e re duhet të krijojë konceptin e rëndësishëm se gjërat që janë denoncuar, të ndiqen. Drejtësia e re do të vërë dhe fre ndaj atyre ngjarjeve që bëjnë bujë, që janë tym më shumë se sa mish pas tymit. Këto ngjarje nuk mund të jenë gara politike.”, tha ajo.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *