Japonia do derdhë në oqean 1 milion ton ujë të ndotur të Fukushimas, ishte ruajtur që nga cunami i 2011

Një milion tonë uji i ndotur nga termocentrali i shkatërruar bërthamor, Fukushima do të derdhet në det. Japonia bëri me dije vendimin e saj, ndonëse është një zgjidhje e kundërshtuar ashpër nga peshkatarët, banorët vendas, Kina dhe Koreja e Jugut.

Vendimi, për të cilin përflitej prej kohësh, dhe u vonua për vite me radhë për shkak të shqetësimeve të sigurisë dhe protestave, u diskutua në një takim të ministrave të kabinetit të cilët mbështetën idenë e derdhjes së ujit në oqean si opsionin më të mirë.

Në një konferencë në Tokio, kryeministri Suga u zotua që gjatë procesit të bashkëpunojë me palë të treta përfshirë Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Tokio thotë se puna për lirimin e ujit të përdorur për të ftohur karburantin bërthamor do të fillojë brenda dy vitesh.

 Uji akumulues është ruajtur në rezervuarë në uzinën Fukushima Daiichi që nga viti 2011, kur një tërmet masiv dhe tsunami dëmtoi reaktorët e tij dhe uji i tyre ftohës u ndot dhe filloi të rrjedhë.

Uji do të trajtohet dhe do të hollohet, në mënyrë që nivelet e rrezatimit të jenë nën nivelet e vendosura për ujë të pijshëm.

Shtetet e Bashkuara mbështetën Japoninë në vendimin e marrë për të lëshuar ujin e ndotur nga stacioni i shkatërruar atomik Fukushima, duke deklaruar se Tokio e ka miratuar në përputhje me standardet e pranuara globalisht të sigurisë nukleare.

Protestuesit u mblodhën jashtë zyrës së kryeministrit japonez duke e nxitur atë të kthente vendimin.

“Ky nuk është një problem vetëm për Japoninë, pasi ky ujë mund të ndotë oqeanet e botës. Nëse gjëra të tilla lejohet të ndodhin, si mund të përballemi me brezat e ardhshëm”, u shpreh një nga protestuesit.

Të Fundit