I ruanin të armatosur bimët e kanabisit, arrestohet babai me dy djemtë në Poliçan

125 bimë kanabisi të mbjella në një sipërfaqe toke në fshatin Tozhar në Poliçan kanë vënë në pranga babain me dy djemtë. Policia bën me dije se 58-vjeçari bashkë me dy të rinjtë u kapën në flagrancë teksa ujisnin bimët e lëndës narkotike.

Mësohet se ata i ruanin këto të fundit të armatosur. Policia ka asgjësuar përmes djegies të gjitha bimët ndërsa janë sekuestruar 3 armë gjahu pa leje. Ndërkohë është arrestuar dhe pronari i sipërfaqes së tokës.

Njoftimi i policisë:

Poliçan/Finalizohet si rezultat i një hetimi proaktiv, faza e dytë e operacionit policor anticannabis, të koduar “Tomorri”. Të armatosur, ruanin bimët narkotike që kishin kultivuar në fshatin Tozhar, vihen në pranga 3 shtetas (babai dhe 2 djemtë).

Gjithashtu, arrestohet në Durrës pronari i sipërfaqes së tokës ku ishin kultivuar bimët narkotike. Procedohet penalisht vëllai i tij, për posedim pa leje të një arme gjahu. Asgjësohen nëpërmjet djegies 125 bimë narkotike cannabis sativa dhe sekuestrohen 4 armë gjahu.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Poliçan në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Skrapar dhe të DVP Berat, si rezultat i një hetimi proaktiv, të kryer me Prokurorinë e Beratit, për një rast të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Tozhar, Poliçan, nga disa shtetas, finalizuan fazën e dytë të operacionit policor anticannabis, në nivel qarku, të koduar “Tomorri”.

Në kuadër të kësaj faze u arrestuan shtetasit H. D., 58 vjeç, F. D., 32 vjeç dhe A. D., 29 vjeç (babai dhe 2 djemtë). 32-vjeçari u kap në flagrancë teksa ujiste bimët narkotike që kishte kultivuar në fshatin Tozhar, në bashkëpunim me 2 të arrestuarit e tjerë, 125 bimë cannabis sativa të cilat u asgjësuan nga Policia, nëpërmjet djegies. Nga kontrollet, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan 3 armë gjahu që posedoheshin pa leje, me qëllim ruajtjen e sipërfaqes me bimë narkotike.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, në bashkëpunim me Policinë e Durrësit, u kap dhe u arrestua shtetasi G. V., 63 vjeç, aktualisht banues në Durrës, pasi bimët u gjetën të kultivuara në tokën në pronësi të tij, në fshatin Tozhar. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin H. V., 59 vjeç (vëllai i 63-vjeçarit), banues në fshatin Tozhar, pasi iu gjet në banesë dhe iu sekuestrua si provë materiale, një armë gjahu që posedohej pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit