Hetimet për zjarrin tek ‘Casa Italia’, ‘peng’ i ekspertizës, po hetohen kushtet e sigurisë në magazinë

Hetimet për zbulimin e shkakut të zjarrit në magazinën e ‘Casa Italia’ janë ‘peng’ i ekspertizës. Ngjarja e rëndë ku humbi jetën roja e sigurisë së objektit, 32-vjeçari Arjan Sala është referuar në prokurori nga policia për “Shkatërrim të pronës nga pakujdesia” ndërsa hetuesit janë në pritje të disa përgjigjeve nga grupi ekspertëve të shërbimit zjarrfikës dhe oficerëve të policisë gjyqësore.

Burime nga grupi hetimor  thanë  se brenda kësaj jave hetuesit presin të administrojnë përgjigje nga disa ekspertiza për provat materiale të gjetura në vendngjarje. Mes tyre pritet të provohet nëse kanë qenë funksionale pajisjet anti-zjarr për menaxhimin e flakëve ose jo. Gjithashtu, nga informacionet e siguruara hetuesit kanë të dhëna se magazina ka qenë e përshtatur pasi më herët ka shërbyer si parking për qendrën tregtare.

Deri në këtë fazë të hetimit grupi i punës ka marrë në pyetje vetëm pjesëtarë të personelit të cilët në deklarimet e tyre kanë treguar dinamikën e ngjarjes nga momenti I shfaqjes së tymit e deri tek largimi nga ambientet e magazinës për shkak të rrezikut që u kanosej.

Gjithashtu, ata shprehen se i vetmi person i cili ka ndërhyre për të shuar flakët përpara ardhjes së zjarrfikësve ka qenë 32-vjeçari, Arjan Sala i cili siç shihet edhe në pamjet vrapon në brendësi të objektit për të ndihmuar kolegët e tij e më pas të neutralizuar flakët. Mes dëshmive është edhe ajo e magazinierit të objektit që u përfshi nga flakët, i cili përpara hetuesve ka treguar se në ambientet ku ra zjarri ka qenë një neon i vjetër që deri në këtë fazë të hetimit dyshohet se solli dhe regjistrimin e asaj ngjarje të rëndë.

Për 4 ditë me radhë magazina e qendrës tregtare ‘Casa Italia’ u pushtua nga flakët ku për pasojë humbi jetën punonjësi i sigurisë, 32-vjeçari Arjan Sala. Ky i fundit pasi ndihmoi kolegët të dilnin nga godina ku ra zjarri, nuk mundi të dalë vetë duke u kthyer kështu në heroin e heshtur që sakrifikoi veten për jetën e kolegëve të tij.

 

Të Fundit