Nga fundi i korrikut, lexuesit e portalit nga Podgorica e Malit të Zi ‘Dan’, çdo ditë pune, lexojnë lajme në formë emisioni informativ, nga një prezantuese virtuale e quajtur Ana AI.
Kjo është hera e parë në rajon, që lajmet jepen nga një spiker virtuale.
Redaktori i portalit Dan, Mili Preleviç, shpjegon për REL, se gazetarët e shkruajnë lajmin dhe më pas Ana AI e lexon atë.
Projekti, i pari i këtij lloji në Mal të Zi, u krye duke përdorur inteligjencën artificiale gjeneruese (AI), një teknologji që mund të prodhojë lloje të ndryshme të përmbajtjes, duke përfshirë tekst, imazhe, audio dhe të dhëna sintetike. Përdorimi i inteligjencës artificiale në gazetari ngre pyetje të shumta, kryesisht në fushën e përdorimit etik.
Mihailo Backoviç, një ekspert në inteligjencën artificiale, thotë se AI është një mjet i dobishëm për produktivitet, por i rrezikshëm nëse gjendet në duart e dikujt që synon të prodhojë propagandë në sasi të mëdha.
Sipas tij, është e nevojshme që një person të verifikojë gjithmonë përmbajtjen dhe të ketë fjalën e fundit kur e publikon.
Përdorimi i AI në vetvete nuk është problematik, për sa kohë që politika editoriale e mediave zbaton standarde të larta etike dhe nuk lejon abuzimin e këtyre teknologjive.
Për shembull, Dan nuk duhet të publikojë kurrë përmbajtje të krijuar nga AI pa rishikim editorial. Kjo do të ishte gjithashtu e rrezikshme sepse sistemet moderne gjeneruese të AI kanë një tendencë të lehtë të gjenerojnë pretendime që janë të pasakta.
Mili Preleviç, redaktor i portalit Dan, i cili ishte i pari në Mal të Zi që përdori këtë teknologji, përparësitë e këtij modeli të punës i sheh në përsosmërinë e prezantimit të Anës.
Ana AI nuk është e pasigurt, nuk humbim kohë për grim, nuk kemi nevojë për kameraman. Ne zgjedhim nëse do të jetë bionde apo e zezë, çfarë do të veshë. Çfarë i jap unë spikerja virtuale e di që do të lexohet në mënyrë perfekte.
Nga ana tjetër, gazetarja dhe drejtuesja e televizionit Vijesti, Danijela Lasica thotë se gazetaria pa emocione njerëzore do të ishte e tmerrshme dhe e rrezikshme.
Është e vërtetë që ndryshe nga Ana, më duhet të grimoj, të vishem, të gabohem në lexim, një lapsus, do të vë theksin e gabuar. Por ndryshe nga Ana, fillimisht gjeta, shkrova, hulumtova”. Ajo e konsideron informacionin e komunikuar nga roboti si “gjysmë informacion.
“AI që ‘hyn’ në shtëpinë tuaj me imazhin dhe zërin e tij, duhet të jetë i vetëdijshëm për lajmin që po ju komunikon, duhet ta ndjejë atë.