Hapen konkurset për tre stadiumet e reja në Shqipëri, do të jenë 10 mijë vendesh / Ja cili model do të ndiqet

Janë hapur konkurset ndërkombëtare për pro jektin e rikonceptimit të tri stadiumeve, në Korçë, Vlorë dhe Durrës. Me lajmin që është bërë i ditur disa javë më parë, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka njoftuar hapjen e konkurseve ndërkombëtare nga ku do të zgjidhet edhe projekti më i përshtatshëm.

Stadiumet e reja të futbollit në Durrës, Korçë dhe Vlorë do të mbajnë 10 mijë spektatorë secili prej tyre dhe do të rindërtohen duke respektuar rregulloren e UEFA-s, për stadiumet e Kategorisë 3.

Projektet do të rikonceptojnë dhe rizhvillojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse komplekset sportive, duke përfshirë ambientet e pallatit të sportit dhe pishinës së mbyllur ku do të ushtrohet noti, dhe këtu bëhet fjalë për në Korçë dhe Vlorë, dhe gjithashtu edhe pjesën tjetër të terreneve sportive.

MODELI- Stadiumet në këto 3 qytete janë unike, për shkak të vendndodhjes së tyre qendrore.

Qeveria shqiptare, në konceptimin e stadiumit “Air Albania”, duke e cilësuar si një model të suksesshëm dhe duke krijuar një precedent për dinamikën e një qyteti të gjallë, do të ndjekë të njëjtën rrugë edhe për rindërtimin e këtyre stadiumeve, të cilët kanë të njëjtin potencial, si në Durrës, Korçë apo në Vlorë.

Ky proces do të jetë një bashkëpunim mes qeverisë shqiptare, bashkive të këtyre qyteteve dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.

KONKURSI- Qëllimi i këtij konkursi është gjenerimi i ideve dhe propozimeve të reja për rizhvillimin dhe rigjallërimin e komplekseve të stadiumeve të futbollit në Durrës, Korçë dhe Vlorë, duke krijuar ambiente bashkëkohore me përdorime të përziera, që strehojnë si sporte, ashtu edhe një sërë fushash tregtare, biznesi.

Gjithashtu edhe objektet dhe shërbimet e shitjes me pakicë. Aktivitetet kulturore dhe edukative duhet të jenë pjesë e programit edhe të komplekseve të stadiumeve të reja të futbollit.

Me hapjen e këtyre konkurseve do të synohet tërheqja e arkitektëve që do të paraqesin propozime kreative dhe funksionale.

Këto ndërhyrje duhet të jenë unike për identitetin e tyre të projektimit, qëndrueshmërinë urbane dhe integrimin e tyre të sinergjive sportive, komerciale, kulturore, arsimore dhe njerëzore, duke i shndërruar përfundimisht këto komplekse stadiumesh futbolli dhe zonën e tyre përreth në qendra të reja të qytetit, ku jeta zhvillohet plotësisht gjatë gjithë ditës dhe vitit.

Të Fundit