Hakerat nxjerrin videot sekrete të SHISH dhe paralajmërojnë: Prisni për një bombë!

Hakerat e grupit të mbiquajtur “Homeland Justice”, që sulmuan Shqipërinë, kanë nxjerrë video nga survejimet e Shërbimit Informativ Shqiptar.

Një prej videove tregon survejimin e një ambasade të huaj në Tiranë, konkretisht ambasadës së Kinës.

Ata i kanë shoqëruar videot me mesazhin; “Prisni për një bombë!”, paralajmërim që sugjeron se materiale të tjera të dëmshme pritet të publikohen.

Publikimi i fundit tregon se hakerat kanë arritur të marrin informacion sensitiv dhe mjaft të dëmshëm për SHISH dhe shtetin shqiptar.

Disa ditë më parë, hakerat publikuan listën e emrave të punonjësve të SHISH dhe pozicionet e tyre të punës, duke dekonspiruar kështu edhe agjentë të zbulimit dhe kundërzbulimit.

Ata kanë publikuar udhëtimet dhe të dhënat personale të kreut të SHISH, Helindon Bendo. Gjithashtu kanë publikuar udhëtimet e kryeministrit Rama, të cilat bënë mjaft bujë në opinionin publik, për shkak se shumë prej udhëtimeve të Ramës ishin kryer me avionë charter.

Kryeministri Rama ka mohuar kategorikisht që hakerat të kenë marrë informacione të dëmshme për shtetin, por publikimet e vazhdueshme të hakerave tregojnë se qeveria nuk po tregon të vërtetën dhe se sulmi ka qenë me përmasa katastrofale.

Të Fundit