Finalizohet Konkursi i Gjuhës Shqipe, Kushi: Ruajtja dhe forcimi i shqipes, detyrë

Konkursi i Parë Kombëtar i Gjuhës Shqipe për klasat e 9-ta u finalizua dhe gjeti fituesin e saj, pas një procesi i cili nisi në muajin janar të këtij viti, me pjesëmarrjen e mbi një mijë shkollave 9-vjeçare nga gjithë Shqipëria.

Nga 52 shkollat e përzgjedhura nga ky konkurs në bazë zyrash arsimore, 4 më të mirat që u zgjodhën ishin: Shkolla “Branko Kadia” nga Shkodra, Shkolla “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” nga Korça, Shkolla “7 Dëshmorët” nga Roskoveci dhe Shkolla “21 korriku” nga Burreli.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi u shpreh se finalja e këtij Konkursi të Parë Kombëtar të Gjuhës Shqipe dhuroi jo vetëm emocione, por edhe zbuloi talente të veçanta mes nxënësve.

“Falënderoj të gjithë nxënësit dhe mësuesit që përcollën përkushtimin dhe dashurinë e madhe që ka brezi i ri ndaj gjuhës sonë të bukur shqipe! Ndjehem krenare për këtë punë të mrekullueshme të përbashkët mes MAS, ASCAP, DPAP, drejtorive rajonale, zyrave vendore arsimore dhe vetë shkollave.”

Znj. Kushi nënvizoi dhe misioni i rëndësishëm i ruajtjes dhe forcimit të gjuhës shqipe është një detyrë dhe përgjegjësi për të gjithë, mësuesit, familjen dhe gjithë shoqërinë.

Qëllimi i këtij konkursi ishte motivimi i nxënësve për të zhvilluar dhe përmirësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre, nxitja e një kulture të mirë konkurrimi, si dhe vlerësimi i gjuhës shqipe si mjet komunikimi, zhvillimi dhe vlerësimi për talentet e reja në të shkruar, lexuar dhe recituar.

13 episodet kryesore të Konkursit Kombëtar i Gjuhës Shqipe u transmetuan çdo të martë dhe të enjte në RTSH Shkollë. Partnerë dhe mbështetës të këtij konkursi ishin RTSH, UNICEF, Këshilli i Evropës, World Vision, Save the Children dhe British Council.

Të Fundit